Vendimi që dita e diel të jetë ditë jo pune, sipas Bexhetit, është masë në suazën e të drejtave të punëtorëve, por kjo masë nuk është ajo që realizon të drejtat e tyre
Njohës të zhvillimeve ekonomike në vend vlerësojnë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet që në të ardhmen – të ketë pako për subvencione për sektorët që do të kenë nevojë si pasojë e shpalljes së ditës së diel ditë jo pune. Akademik Abdylmenaf Bexheti, për gazetën KOHA i vlerëson si të drejta reagimet e Odës Ekonomike të Maqedonisë se do të ketë pasoja në disa sektorë ky vendim. Bexheti shprehet se me këtë rast, disa sektorë do të duhet të subvencionohen në këtë drejtim me qëllim që të mos ketë lëshime nga puna sidomos në sektorin e turizmit dhe të ndërtimtarisë.
“Mendoj se disa degë ekonomike me të drejtë reagojnë se mund të shkaktohet zhvendosje e kostove të tyre dhe do të duhet Qeveria që në një fazë tranzicioni të krijojë një fond subvencional me të cilën do të kompensojë vendet e punës, posaçërisht atyre sezonale nëse ajo do të vijë në shprehje. Mendoj se në këto komponente duhet të shikohet dimensioni ekonomik, dimensioni social dhe dimensioni kulturor, në kuptimin e shprehive të punës, në kuptimin e nevojës për një ditë të lirë. A thua se dita e diel ditë jo pune, domosdoshmërisht do t`i ndihmojë dikujt që ka nevoja administrative, që të kryejë punë diku tjetër, pra i cili një ditë pune brenda javës do të dojë që ta ketë ditë jo pune”, thekson Bexheti.
Masa që dita e diel të jetë ditë jo pune, sipas Bexhetit, është masë në suazën e të drejtave të punëtorëve, por kjo masë nuk është ajo që realizon të drejtat e tyre. Sipas tij, ligjet për të drejtat e punëtorëve janë miratuar dhe ekzistojnë, por të njëjtat jogjithmonë zbatohen në praktikë. Bexheti thekson se fillimisht do të duhet që punëtorëve t’u mundësohen kushte për kryerjen e punëve dhe pastaj të mendohet për një vendim të këtillë. “Kemi sot shumë të drejta të punëtorëve të parealizuara, siç janë kushtet e punës në kuptimin e veshmbathjeve, në degë të ndryshme të industrisë në kuptimin e mbrojtjes në punë, në kuptimin e kujdesit shëndetësor të punëtorëve… dhe pa i plotësuar këto kushte, del se ky standard tash që kërkohet është më i lartë krahasimisht me këto elementare. Pra, nëse shteti nuk i rregullon funksionalisht këto aspekte, jo normativisht, sepse në normat ligjore ato janë, por le të del të konstaton se cili punëtor në ndërtimtari e ka veshjen adekuate për të punuar në ndërtimtari”, deklaroi Bexheti.
Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ditë më parë theksoi se do të ketë largime nga puna deri në 30 për qind, realizim të pasigurt të projekteve kapitale, ngecje në prodhimtari, shpenzime më të larta, produktivitet i zvogëluar dhe kthim i pasigurt i investimeve, që do të shkaktojë zgjidhja ligjore për të dielën si ditë jo pune, e cila kaloi në Qeveri pa u marrë parasysh vërejtjet dhe propozimet e bashkësisë së biznesit. /Kohamk/