E KONFIRMUAR: Liqeni i Dojranit, i Tikveshit dhe Berovës me ujëra shumë të ndotur

    Ujërat e Liqenit të Dojranit, Tikveshit dhe Berovës klasifikohen në klasën 4, e cila i referohet ujit shumë eutrofik, të ndotur, i cili në gjendjen e tij natyrore mund të përdoret për qëllime të tjera vetëm pas një trajtimi të caktuar. Këtë e tregon monitorimi i cilësisë së ujit nga tri liqenet që këtë vit e ka bërë Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip, në bashkëpunim me Institutin për studime të komunikimit në kuadër të fushatës “Sqaroni gjithçka”.

    Sipas analizave mikrobiologjike, në liqenin e Dojranit dhe të Tikveshit janë zbuluar baktere koliforme me origjinë fekale, të cilat i klasifikojnë liqenet në klasat 3 dhe 4. Ndotja mikrobiologjike e klasës 3 nënkupton që uji mund të përdoret për ujitje dhe pas përpunimit në industrinë ku nuk ka nevojë për ujë të pijshëm cilësor, ndërsa ndotja e klasit 4 nuk lejon që ky ujë të përdoret as për rekreacion. Ndotja lokale me fekale tregon gjithashtu koncentrimin e nitriteve që ndryshojnë gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës në të tre liqenet, kështu që ka përqendrime të rastësishme në klasën 3-4. Nitriti është shumë toksik për peshqit dhe të gjitha gjallesat.

    Në liqenet e Berovës dhe Tikveshit në vjeshtë përqendrimet e fosforit rriten ndjeshëm dhe arrijnë në klasën 4. Kjo tregon për ndotjen e mundshme të ujit në këto liqene për shkak të përdorimit të tepruar të plehrave në bujqësi, ujit të patrajtuar komunal dhe shkarkimeve nga fermat apo impiantet e trajtimit. Përqendrime të matshme të fosforit nuk janë zbuluar në liqenin e Dojranit.

    Kur bëhet fjalë për metalet e tretura në ujë, në liqenin e Dojranit, përqendrimet e bakrit tregojnë tejkalime në mostra të caktuara në matjet e pranverës dhe vjeshtës dhe kategorizohen në klasën 3-4. Në matjet e vjeshtës është konstatuar edhe tepricë e hekurit. Rritja e lehtë e përqendrimeve të plumbit dhe rritja e konsiderueshme e përqendrimeve të kadmiumit ndodhin në liqenin e Tikveshit në sezonën e vjeshtës, përcjell Nistori. Ekspozimi kronik ndaj kadmiumit mund të çojë në efekte të mëdha negative mbi organizmat ujorë dhe për këtë arsye nevojiten hulumtime të mëtejshme për të përcaktuar burimin e këtij metali toksik.

    Sipas konsumit kimik të oksigjenit në ujë, që është edhe tregues i ndotjes së ujit, liqeni i Dojranit arrin në klasën 3, ndërsa ujërat e liqenit të Tikveshit dhe të Berovës klasifikohen në klasën 2. Rritja e konsumit kimik të oksigjenit në liqenin e Dojranit dhe liqenin e Tikveshit është për shkak të niveleve të larta të dekompozimit të lëndëve bimore dhe situatën e rëndojnë ujërat e zeza komunale dhe industriale, ndërsa në liqenin e Berovës, në vjeshtë, kjo ndodh për shkak të uljes së madhe të nivelit të ujit në liqen.

    Duke pasur parasysh treguesit për nivele të herëpashershme të larta të ndotjes së ujit në liqenet e Dojranit, Tikveshit dhe Berovës, është e nevojshme analiza shtesë dhe e vazhdueshme e të gjithë treguesve të cilësisë së ujit të liqenit, veçanërisht eutrofikimit dhe regjimit të oksigjenit, që do të japë një pasqyrë më të qartë të burimeve të mundshme të ndotjes dhe masat për përmirësimin e cilësisë së ujit në liqene.

    Monitorimi është bërë nga prilli deri në nëntor të këtij viti për të përcaktuar cilësinë e ujit në liqenet e Dojranit, Tikveshit dhe Berovës, të cilët shfrytëzohen për qëllime të ndryshme – turizëm dhe rekreacion, vaditje dhe furnizim me ujë, në dy periudha të vitit – në pranverë kur mbushen me ujë edhe në vjeshtë kur niveli i të gjithë liqeneve është në nivelin më të ulët. Ujërat në këto liqene klasifikohen sipas rregullit që klasa më e ulët e përcaktuar për një tregues të caktuar, si ndotja mikrobiologjike, lëndët ushqyese që janë parametra të eutrofikimit dhe regjimi i oksigjenit, përcakton klasën e përgjithshme të trupit ujor. Sipas qëllimit dhe shkallës së pastërtisë së ujërave, ato ndahen në 5 klasa, si më poshtë: Klasa 1 – ujë shumë i pastër, oligotrofik, Klasa 2 – pak i ndotur, ujë mezotrofik, Klasa 3 – ujë mesatarisht eutrofik, klasi 4 – ujë shumë eutrofik, i ndotur, dhe Klasa 5 – ujë shumë i ndotur, hipertrofik. Monitorimi dhe analizat kimike i ka bërë laboratori AMBIKON pranë universitetit “Goce Dellçev”, ndërsa analizat mikrobiologjike janë bërë në Qendrën për shëndet publik – Shtip.

    Raportin e plotë nga monitorimi i cilësisë së ujit nga liqeni i Dojranit, Tikveshit dhe Berovës mund ta shkarkoni KËTU. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sela: Tani e kemi më vështirë se në kohën e Gruevskit, duhet të kërkojmë ndihmë për gjyqësorin nga BE-ja

    Lajmi i rradhës

    Albin Kurti citon profetin Muhamed (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë