Edhe pse premtoi, ministri Shaqiri tani hesht për shërbimet digjitale në arsim

    Një sistem që do t’u mundësojë maturantëve që regjistrimin në fakultet ta bëjnë online, një ditar elektronik i përmirësuar dhe më funksional, një aplikacion celular për e-ditar, si dhe dëftesa elektronike, janë risitë për të cilat vitin e kaluar njoftoi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri. Vitin që shkoi, më 15 qershor, kur informoi për numrin e kërkesave elektronike të pranuara për regjistrim në arsimin e mesëm, ndër të tjera ai i bëri edhe këto premtime, për të cilat deri në këtë moment Meta.mk nuk ka marrë përgjigje nëse ato kanë filluar ose pritet realizimi i tyre eventual.

    Tashmë tre javë nga Ministria nuk ka përgjigje në pyetjet tona lidhur me shërbimet e digjitalizuara të paralajmëruara në arsim.

    Vitin e kaluar, kur për herë të parë u prezantua opsioni që nxënësit e klasës së nëntë të mund të aplikojnë për regjistrim në shkollën e mesme në mënyrë elektronike, Shaqiri premtoi një ditar elektronik të përmirësuar me një funksionim më të lehtë, serverë më të shpejtë që do t’u mundësojnë mësimdhënësve të punojnë pa probleme gjatë punës së tyre, një aplikacion celular për e-ditar, si dhe komunikim më të mirë në kohë reale me prindërit.

    “Planifikohet prezantimi i dëftesave elektronike, futja automatike e notave në e-ditar gjatë aplikimit të nxënësve të shkollave fillore në shkollat e mesme, ndërsa po punohet për idenë e zbatimit të një Higher education management information system (HEMIS) për aplikim automatik për maturantët në universitete”, tha Shaqiri vitin që shkoi.

    Më 11 prill Meta kërkoi përgjigje për atë se deri ku ka arritur realizimi i këtyre projekteve. Nuk morëm përgjigje. Pastaj, sërish më 19 prill, po këto pyetje i dërguam pranë Departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Protokoll, por këtë herë pyetjet ia dërguam edhe shefit të departamentit për mbështetje informatike, Goran Stojanovski, shefit të kabinetit Agim Shaqiri, si dhe zëvendësministrit të arsimit dhe shkencës, Agim Nuhiu. Përsëri nuk morëm më përgjigje. Përveç kësaj, Meta.mk iu drejtua edhe personalisht ministrit Shaqiri nëpërmjet një mesazhi, por sërish hasëm në heshtje.

    Përndryshe HEMIЅ, sistemi për arsimin e lartë për të cilin njoftoi Shaqiri, i cili duhet të mundësojë aplikimin në universitete në mënyrë elektronike, në fakt është një sistem që përmban lloje të ndryshme të të dhënave nga arsimi i lartë, për shembull, numrin e studentëve dhe kuadrit, planprogramet mësimore, të dhëna për financat, të cilat u referohen institucioneve të arsimit të lartë. Sistemi ju mundëson të shihni numrin e të diplomuarve në fusha të ndryshme të studimeve. Të dhënat e siguruara nga sistemi i bazuar në dëshmi më pas përdoren për monitorim, vlerësime, raporte etj.

    Sipas praktikës së deritanishme, tek ne regjistrimet në universitet fillimisht bëhen me aplikim elektronik, konkretisht UKM ka sistem qendror, por më pas kandidatët duhet t’i dërgojnë dokumentet origjinale në universitetin për të cilin aplikojnë për të kontrolluar besueshmërinë e tyre.

    “Dokumentet si nënshtetësia dhe certifikata e lindjes janë dokumente të përhershme, ndaj lind pyetja nëse fakultetet duhet t’i kërkojnë ato si kopje fizike, kur të njëjtat mund të dërgohen edhe vetëm në formë elektronike. E-dëftesat janë një ide e shkëlqyer sepse për të krijuar një dëftesë të dhënat mund t’i “tërheqësh” direkt nga e-ditari, por që kjo të realizohet është e nevojshme të ndërtohet një sistem i tërë. Dhe kjo gjë bëhet vetëm nëse ka vullnet dhe burime”, tha për Meta.mk një profesor në Fakultetin e Teknologjisë Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FTIIK), i cili dëshiroi të mbetet anonim.

    Vitin e kaluar kur për herë të parë u prezantua mundësia për aplikim në mënyrë elektronike në shkollat e mesme, çdo nxënësi i duhej që t’i bashkëngjiste aplikacionit dokumente në formatin jpg ose pdf. Atëkohë, në një prononcim për Meta.mk, Prof. d-r. Boro Jakimovski, dekani i FTIIK, tha se kjo mënyrë e re e regjistrimit ua lehtëson punën punonjësve në shkolla, të cilët pastaj nuk duhet t’i kopjojnë të dhënat nga dëftesat, por vetëm të kontrollojnë dokumentet.

    Jakimovski përmendi pranimet në universitete në Mbretërinë e Bashkuar, ku tashmë 15 vjet ky proces është i centralizuar dhe gjithçka bëhet në mënyrë elektronike.

    “Atje mund të aplikoni edhe në tre fakultete. Në vendin tonë ligji nuk e lejon këtë. Dhe një sistem i tillë elektronik do t’i zvogëlojë abuzimet deri në zero, nuk do të ketë vend për paraqitje fiktive të dokumenteve”, tha Prof. d-r Jakimovski.

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Për ne si pushtet lokal, sfida më e madhe është ngritja e kapaciteteve profesionale në strukturën e brendshme administrative

    Lajmi i rradhës

    Çfarë lulesh duhet të mbillni nëse tarraca juaj është në hije

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë