Eko autobus apo transport publik i shpejtë?

    “Të mos shpejtohet me vendimet për ndërprerjen e projektit Transporti publik i shpejtë” apelon ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, deri te autoritetet e Qytetit të Shkupit. Thotë se nuk ka argumente pse i njëjti duhet të ndërpritet. Vendimi i tillë sipas tij bazohet në studime, analiza dhe mendime të ekspertëve. Argumentet e tija janë se nuk do të ketë ndotje të ajrit, do të kemi transport të shpejtë dhe do të kemi më pak kaos në trafik.

    “Nëpër të gjithë procedurat qeveritare ka kaluar si projekt pozitiv dhe Qeveria ka siguruar mjete dhe në fund të fundit kjo ka kaluar edhe në Kuvend si huamarrje e Qeverisë nga institucionet ndërkombëtare financiare prej 70 milion eurove kredi, projekt i cili është vlerësuar si i shkëlqyeshëm nga ekspertët ndërkombëtarë, se me këtë zgjidhet një problem i madh në qytetin e Shkupit”, tha Boçvarski.

    Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, menjëherë pas marrjes së funksionit paralajmëroi se planifikon që të ndërpres projektin BRT, për Transport të shpejtë publik. Ajo planifikon që këto 70 milionë euro që i ka marrë Qeveria nga BERZH për këtë projekt, t’i riorientojë për qëllime tjera, siç është blerja e eko autobusëve. Shkupi duhet të jetë qytet i të gjithëve, mjaft më me zgjidhje të përsëritshme, apelonte Arsovska gjatë fushatës zgjedhore.

    “Është e patjetërsueshme që Shkupi të ketë transport publik falas dhe eko autobus të ri. Kjo është zgjidhja më e sigurt dhe më e shpejtë për transportin publik në Shkup. Për dallim nga BRT i cili do të thotë projekte shtesë infrastrukturore, ndërsa me këtë realizimi do të zgjas disa vite. Nëse është aq i mirë si zgjidhje projekti BRT atëherë pse u tha se duhet të intervenohet te ura Kombet e Bashkuara, pse në mënyrë shtesë të pritet gjelbërimi në Aradhet Partizane, pse duhet të zbatohet zgjidhje e cila nuk mund të realizohet në gjithë Shkupin dhe që nuk do të zgjidh problemin e gjithë shkupjanëve, posaçërisht të atyre që jetojnë në periferinë e qytetit”, tha Arsovska.

    Nga BERZh thonë se projekti BRT tashmë është në fazë të implementimit pasi që para një muaji u publikua tender për ndërtimin e trasesë së re nga Gjorçe Petrovi deri në Novo Lisiçe. Kjo thirrje publike është e hapur deri më 14 dhjetor, ndërsa i gjithë dokumentacioni është i qasshëm pikërisht në ueb faqen e BERZH.

    “Kjo do të thotë se mjetet e BERZH mund të shfrytëzohen për projekt specifik për të cilin është miratuar implementimi. Deri më tani kemi shpenzuar mund të madh në këtë projekt, punojmë në të që dy vjet dhe të njëjtën gjë e kanë bërë edhe autoritetet maqedonase, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Ky është projekti i parë BRT në rajon, i cili e dallon Shkupin nga kryeqytetet tjera”, thonë nga BERZh.

    Për momentin po zhvillohet thirrja publike për zgjidhjen e këshilltarëve që do të punojnë në projektin e ndërtimit të trasesë së dytë që do të jetë nga Buteli deri në Kisella Vodë./TV21/

    Lajmi Paraprak

    Ralpovski: Mësimdhënësit duhet të marrin 37 mijë denarë

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Tetovës, “duke tentuar të rregullojë vetullat, nxjerr sytë” | Reagojnë aktivistët dhe çiklistët për heqjen e shtegut të biçikletave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë