Komuna e Tetovës, “duke tentuar të rregullojë vetullat, nxjerr sytë” | Reagojnë aktivistët dhe çiklistët për heqjen e shtegut të biçikletave

    Foto: Nistori

    Gazetar | Emir Hamzi

    Largimi i shtyllave të korsive për biçikleta qe një lajm i keq për çiklistët në Tetovë, sepse tashmë korsitë zihen nga veturat që parkohen ilegalisht dhe çiklistët nuk kanë ku të kalojnë. Edhe pse kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ditë më parë njoftoi se largimi i korsive për biçikleta është zbatim i ligjit, ai nuk dha sqarim se cili është plani B i tij që do të mundësojë një shteg biçiketash sipas standardeve dhe në përputhje me ligjin.

    Sipas aktivistit më të zëshëm të ambientit, Ngadhnjim Mehmeti për Nistori thotë se heqja e përshpejtuar e një pjese të shtegut të biçikletave, pa siguruar opsion zëvendësues ka krijuar hidhërim për çiklistët dhe ndjesinë e uzurpimit të hapësirës së biçiklistëve në qytet.

    “Dihet që udhëheqësia e kaluar e komunës së Tetovës shumicën e punëve i bënte gjysmake, shkel e shko sa për efekte elektorale dhe kjo len pasoja të pariparueshme edhe në të ardhmen. Mirëpo kjo nuk do të thotë që nga një problem të kalohet në problem tjetër. Qytetit duhet t’i ofrohen zgjidhje afatgjate duke konsultuar ekspertët e komunikacionit dhe duke u bazuar edhe në rrethanat ekzistuese që ka Tetova. Nuk do doja të besoj që kjo bëhet për shkak të ankesave të bizneseve e dyqaneve rreth rrugës, të cilëve u pamundësohet parkimi i veturave për shkak të shtigjeve të biçikletave”, deklaron Mehmeti.

    Siguria e çiklistëve dhe biçikleta si kulturë urbane

    Siguria e biçiklistëve, ashtu si e këmbësorëve duhet të jetë mbi përfitimet e disa dyqaneve në qytetin tonë. Ky arsyetim është i njëjtë si ndonjë fabrikë që punon pa filtra, ndot ambientin, por tolerohet që mos mbesin pa punë puntorët edhe pse sakrifikohet shëndeti i njerzve nga ajri i ndotur. Biçikleta duhet të promovohet si kulturë urbane që ndikon në shëndetin tonë dhe në uljen e ndotjes së ajrit. Me këtë të mendohen edhe shtigje të reja. Një qytet pa biçikleta ëhtë larg frymës urbane – shton Mehmeti.

    Nga ana tjetër, Agron Arifi – një çiklist i rregullt, thotë se parkimi në shtegun për biçikleta duket i dhimbshëm, sepse, sipas tij, është uzurpuar një hapësirë që edhe pse kishte shumë pengesa, përsëri ishte një lehtësim i madh për të gjithë çiklistët që shfrytëzimin e biçikletës e kishin primare në krahasim me veturën.

    “Është simpatike sesi ende disa shoferë veturash mundohen ta respektojnë linjën e kuqe të çiklizmit! Mendoj që veprimi i komunës ishte i shpejtuar, duke pasur parasysh se nuk kan plan konkret sesi do e përmirësojnë të njëjten sipas rregullave! Si zakonisht mungesa e moskomunikimit të institucioneve ndërmjet vete u fakturohet qytetarëve! Nëse shtegu ka qenë në kundërshtim me ligjin, ateherë komuna duhet t’i padisë ata që e kanë realizuar këtë shkelje dhe mjetet të kthehen në buxhetin e komunës. Në ndërkohë, pa humbur kohë, të bëhet një plan i ri që më së largëti në pranverë të kemi shtigje sipas rregullave dhe çiklistëve tu kthehet hapësira e uzurpuar.” – thekson Arifi.

    Ndërkaq, kryetari i këshillit komunal në Tetovë, Besar Durmishi në konferencë për shtyp i pyetur nga Nistori nëse komuna ka shpejtuar me deaktivizimin e shtegut të biçikletave dhe nëse komuna kalon nga një problem në tjetrin, ai tha se pikërisht udhëheqësia e kaluar ka bërë një hap të gabuar, sepse qytetit fillimisht duhet t’i bëjmë vende parkimi.

    “Pikësëpari duhet të gjejmë hapësira parkimi. Duhet të bëhen parkinge me kate. Më parë duhet ta zgjedhim këtë problem, pastaj të kalojmë dhe të bëjmë korsi të biçikletave”.

    Vendimi gjyqësor nuk ka hyrë ende në fuqi për heqjen e shtegut të biçikletave

    Informatat të cilët i morëm nga gjyqi ishte se procedura është në fazën përfundimtare. Nëse ne nuk marrim masa, do të ishte vendimi i sjellur nga ligji, ku do të kishte implikime financiare për komunën e Tetovës.

    Çfarë thotë lista e pavarur “Më mirë për Tetovën” për heqjen e korsive për biçikleta

    Largimi i korsive për biçikleta në Tetovë, ndonëse shpjegohet si zbatim i ligjit, nuk guxon të bëhet shkak për përkeqësim të trafikut në qytet. Një problem nuk zgjidhet duke shkaktuar një problem tjetër më të madh! Që kjo masë të arrijë rezulatatin e dëshiruar, Komuna e Tetovës dhe Sektori për Punë të Brendshme (SPB Tetovë) duhet të ndalojnë parkimin e automjeteve përreth bulevardeve, dhe të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate të problemit të parkingut në Tetovë. Korsia e biçikletave nuk duhet të zëvendësohet me vend parkim për automjete, por ajo në të ardhmen duhet të zëvendësohet me një korsi të re për biçikleta që do të jetë në përputhshmëri me ligjin dhe standardet Evropiane. Përndryshe, efekti i vetëm i arritur nga kjo masë do të jetë mbingarkim i mëtejshëm i trafikut dhe zhgënjim i qytetarëve të cilët shfrytëzonin korsitë e improvizuara për biçikleta. Tetova pa korsi për biçikleta nuk është Tetova europiane të cilën e synojmë.

    /Nistori/

    Përndryshe, Tetova për herë të parë u bë me korsi për biçikleta prej 3 kilometrash në prill të këtij viti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Eko autobus apo transport publik i shpejtë?

    Lajmi i rradhës

    Ajri i ndotur në Kosovë barazohet me atë të qyteteve të mëdha si Pekini

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë