Energji kryesisht me qymyr  

    Në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me sfidat e tranzicionit të saj energjetik drejt një ekonomie me karbon të ulët, qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndryshuar strukturën e burimeve të energjisë.

    ENERGJIA NGA QYMYRI

    Instituti IDEA në hulumtimin e tyre ka nënvizuar disa nga problemet me të cilat po përballet dhe do të përballet Maqedonia e Veriut vitet në vijim, të cilat meritojnë të jenë prioritet në agjendën e politikbërjes në vend. “Nga viti 2012 në 2023, përqindja e energjisë prodhuar nga termocentralet ka pësuar një ulje nga 78.55 për qind në 57.41 për qind. Përqindja e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet ka variuar, por ka treguar një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke u stabilizuar në rreth 23 për qind në vitet e fundit. Sidoqoftë, rritja më e madhe ka qenë në CHP dhe stacionet termike të autoprodhimit e cila përdoret për të shërbyer nevojat specifike energjetike të një kompleksi industrial ose të një ndërmarrjeje. Nëpër botë këto burime energjie prodhojnë energji me gaz natyrorë, biomasa, qymyr, naftë dhe prodhime të energjisë, energji diellore dhe aeroenergji”, kanë potencuar se në hulumtimin e IDEA-s.

    Duke i’u referuar statistikave nga Enti Shtetëror i Statistikave, thuhet se në Maqedoninë e Veriut kjo energji prodhohet kryesisht me qymyr, ndërsa përqindja e energjisë së prodhuar nga ky burim është rritur nga katër për qind sa ishte në vitin 2012 u rritë afër 28 për qind në vitin 2021 të energjisë së konsumuar, përpara se të binte në 16 për qind në 2022.

    Qymyri ka qenë dhe është ndër burimet më të rëndësishme të energjisë në Maqedoninë e Veriut.

    “Ekzistojnë dy lloje të qymyrit që përdoren për prodhim të energjisë: qymyri i fortë dhe linjiti (apo qymyri i kaftë). Dallimi midis qymyrit të fortë dhe linjitit qëndron në përmbajtjen e tyre të karbonit dhe efikasitetin e djegies. Qymyri i fortë ka një përmbajtje më të lartë të karbonit dhe një vlerë më të madhe kalorike krahasuar me linjitin. Kjo e bën qymyrin e fortë më të dëshirueshëm për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa linjiti përdoret zakonisht në aplikacione që kërkojnë temperatura më të ulëta dhe janë më pak efikase”, thuhet në hulumtimin e tyre.

    Nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për periudhën 2014-2023, vendi nuk ka prodhim të qymyrit të fortë, pra shfaq një varësi totale nga importi i qymyrit të fortë. Importi i qymyrit të fortë arriti pikë kulminante prej 81,072 ton në vitin 2018, e cila pastaj bie ndjeshëm në 22,619 ton në 2023. Siç thonë nga atje, ky trend i importeve të qymyrit të fortë, së bashku me rënien e qëndrueshme të prodhimit vendas të linjitit nga gati 6.5 milionë ton në 2014 në pothuajse 3 milionë ton në 2023, reflekton një lëvizje të vogël në drejtim të përdorimit të qymyrit me efikasitet më të lartë.

    ENERGJIA E RINOVUESHME

    Maqedonia e Veriut sipas të dhënave nga Eurostat në periudhën 2004- 2021 ka pasur një angazhim ndaj përdorimit të këtyre burimeve, me 15 për qind prodhim të energjisë së rinovueshme në vitin 2004, duke shënuar një maksimum prej rreth 20 për qind të energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë në vitin 2017. Megjithatë, përqindja e energjisë së rinovueshme ka pasur një rënie të lehtë në 17 për qind në vitin 2021.

    Në hulumtimi e IDEA-s thuhet se sa i përket krahasimeve me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut duket që ka përqindje më të ulët sesa mesatarja e të dy pikave të referimit.

    “Në vitin 2021, Maqedonia e Veriut regjistroi një përdorim të burimeve të rinovueshme të energjisë në 17.2 për qind, një shifër që mbetet nën mesataren rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe atë të Bashkimit Evropian. Shqipëria tejkaloi Maqedoninë e Veriut me një diferencë të madhe, duke arritur një shkallë të përdorimit të energjisë së rinovueshme prej 41 për qind, duke u pozicionuar si lider në rajon për këtë metrik. Serbia dhe Kosova gjithashtu kanë performuar më mirë se Maqedonia e Veriut përkatësisht me 25.2 për qind dhe 22.364 për qind. Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi janë gjithashtu përpara Maqedonisë së Veriut, me Bosnjën dhe Hercegovinën që ka arritur një përdorim të energjisë së rinovueshme prej 36.5 për qind dhe Malin e Zi me 39.8 për qind, duke demonstruar një angazhim më të fortë në diversifikimin e burimeve të energjisë”, shkruhet në hulumtimin e IDEA-s. Sipas tyre, këto të dhëna tregojnë se Maqedonia e Veriut ka hapësirë për të përmirësuar nivelin e përdorimit të energjisë së rinovueshme, ndërsa angazhimi në COP28 duket që është një hap i mirë në këtë drejtim.

    Në fund nga IDEA thonë e Maqedonia e Veriut po përballet me sfidën e tranzicionit energjetik drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, një hap i rëndësishëm për të plotësuar kriteret e gjelbërta të Bashkimit Evropian dhe të angazhimit global për të luftuar ndryshimet klimatike.

    Argumenti i Institutit IDEA është që tranzicioni energjetik është proces multi-dimenzional dhe do të prekë shumë palë, prandaj kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse në mënyrë që askush mos të ndikohet negativisht apo mos të mbetet mbrapa.

    “Sfidat sociale si varfëria e energjisë, e cila prek 23.80 për qind të popullsisë, dhe gatishmëria e qytetarëve për të pranuar dhe ndryshuar mënyrat e tyre të ngrohjes do të duhet gjithashtu të merren në konsideratë në planifikimin dhe zbatimin e politikave në mënyrë që të mos krijohet pabarazi në aspekt të aksesit në energji. Për të arritur një tranzicion të suksesshëm dhe të qëndrueshëm energjetik, Maqedonia e Veriut do të duhet të zhvillojë një strategji gjithëpërfshirëse që balancon nevojat ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke siguruar një rrugëtim të sigurt drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Përpjekja për të zëvendësuar qymyrin, i cili aktualisht përbën përafërsisht 80 për qind të energjisë së prodhuar në Maqedoninë e Veriut, me energji të rinovueshme deri në vitin 2030, është përpjekje ambicioze dhe do të kërkojë investime të konsiderueshme dhe ndryshime në infrastrukturën energjetike”, thonë në fund nga IDEA. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vështirësitë e fëmijëve atipik në arsimim!

    Lajmi i rradhës

    Janë dhënë 2.5 milionë euro për pastrimin e lindanit në OHIS

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë