Institucionet nuk planifikojnë imunizimin e posaçëm të trupave që duhet të bëjnë regjistrimin e popullsisë në shtator. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, konkursi për angazhimin e regjistruesve të terrenit dhe instruktorëve rajonal duhet të përsëritet në gjysmën e dytë të korrikut sepse përzgjedhjet që u bënë për regjistrimin që duhej të mbahej në prill nuk vlejnë më. Ky institucion thotë se nuk do të ketë kohë për vaksinimin e tyre.
Zgjedhja do të bëhet në fillim të gushtit kështu që është e pamundur të organizohet vaksinim i kandidatëve të zgjedhur për shkak të kohës së shkurtër deri në fillimin e regjistrimit. Çështja e dytë është që vaksinimi është vullnetar dhe ne mundemi vetëm të rekomandojmë dhe të apelojmë tek të gjithë që duan të marrin pjesë në aktivitetet e regjistrimit që të vaksinohen – njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikës.
Ministria e Shëndetësisë thotë se regjistrim i sigurt nga aspekti shëndetësor do të arrihet përmes imunizimit masiv, duke mos përmendur imunizimin e posaçëm të regjistruesve.
Varësisht situatës epidemiologjike dhe përllogaritjes së rrezikut, Ministria e Shëndetësisë do të zbatojë strategji për plan për imunizim me qëllim të zbatimit të regjistrimit të sigurt. Në periudhën e ardhshme pritet të arrijnë vaksina në numër më të madh dhe vaksinimi do të vazhdojë të zbatohet pandërprerë për të gjithë qytetarët – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Imunizimi i regjistruesve ishte premtuar dhe madje ishte arsyeja kryesore për shtyrjen e regjistrimit që ishte caktuar për në prill. Sipas kryeministrit Zaev, vaksinimi i regjistruesve do të ishte prioritet.
Fillimisht pranuam që të lejojmë të bëhet imunizimi masiv, veçanërisht imunizimi i regjistruesve. Këmbëngulja e liderit të opozitës se imuniteti fitohet pas vaksinës së dytë është në rregull, nëse kjo nënkupton thirrje nga ana e tyre për t’u regjistruar dhe nëse nënkupton mbështetje të rezultateve të regjistrimit. Treguam mirëkuptim- deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.
Mickoski nga ana tjetër, kishte marrë zotimin për vaksinimin e plotë të rreth 1 milionë qytetarëve me rreth 2 milionë doza që do të vinin në vend deri në fund të muajit maj.
U informova se gjatë muajit prill, nëpërmjet programeve të ndryshme pritet që në vend të arrijnë rreth 350 mijë vaksina me të cilat do të fillojë procesi i imunizimit masiv i popullsisë. Pas asaj, edhe vaksina të tjera në muajin maj, që do të jenë diku 2 milionë doza, që është e mjaftueshme për vaksinimin e më shumë se 1 milion qytetarëve që do të vaksinoheshin gjatë periudhës që vjen – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Deri tani, me dozat e arritura plotësisht janë imunizuar rreth 260 mijë qytetarë. Ndërkohë, qindra mijëra doza të porositura të vaksinave janë vonuar dhe nuk dihet se kur do të pranohen.
Regjistrimi i popullsisë në terren është shtyrë për periudhën prej 5 deri më 30 shtator. /Alsat/