Familjarët e të aksidentuarve në Llaskarcë të revoltuar me vendimin e Këshillit të Gjykatës Penale

    Foto: Borçe Popovski, Kolektif

    Këshilli i Gjykatës Penale vendosi të bëjë superekspertizë për aksidentin në Llaskarcë ku 16 persona humbën jetën dhe 38 u lënduan nga rrokullisja e autobusit të Durmo Tours. Për familjarët e pasagjerëve të ndjerë ky vendim është skandaloz, pasi superekspertiza do ta vonojë procedurën dhe drejtësia do të vonohet.

    “Pas kaq vitesh, mendojmë se ky është thjesht një evazion i drejtësisë. Kjo është një traumë shtesë dhe dhimbje e paparë për familjet që humbën të dashurit e tyre në aksidentin e rëndë automobilistik. Besojmë ky vendim sot i trupit gjykues nuk duhej të ndodhte”, ka thënë Blagojçe Tërpevski, babai i të ndjerit Jovica Tërpevski.

    Nga ana tjetër, avokatët e të pandehurve thonë se superekspertiza do t’i përcaktojë faktet reale të aksidentit rrugor, pasi në gjykim janë paraqitur tri ekspertiza të ndryshme.

    “Kemi tre gjetje dhe opinione të ndryshme. Një nga prokuroria, një tjetër nga i pandehuri i gjashtë dhe një i tretë nga avokati teknik i të pandehurit të parë. Ato janë krejtësisht të ndryshme në zona të caktuara për shkakun e aksidentit. E vetmja gjë e drejtë që mund të bënte gjykata e shkallës së parë është të përcaktojë një superekspertizë”, ka thënë avokati Sashko Dukovski.

    Aksidenti i tmerrshëm ndodhi më 13 shkurt 2019 dhe shumë shpejt do të bëhen tre vjet nga tragjedia dhe ende nuk ka vendim. Superekspertizën do ta bëjnë profesorët e Fakultetit Teknik nga Shkupi dhe Manastiri, por nuk dihet se sa mund të zgjasë ky proces. Gjyqi i gjashtë personave – përfshirë pronarin e Durmo Tours dhe shoferin e autobusit – ishte në fazën përfundimtare. 

    Lajmi Paraprak

    Prindërit refuzojnë që fëmijët e tyre të testohen në shkollë

    Lajmi i rradhës

    Sela për situatën e Kastriot Rexhepit: Duhet të jemi të gjithë të shqetësuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë