Nëse faturën e rrymës për muajin mars e keni paguar 33 euro, për të njëjtën sasi të shpenzuar të rrymës në maj do të paguani 38.31 euro.
Kjo pasi që, më 11 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) miratoi rritjen e çmimeve për tarifat e energjisë elektrike për amvisëri dhe biznese që kanë deri në 50 punëtorë.
Me gjithë protestat e organizuara për ta kundërshtuar këtë rritje, tarifat e reja janë miratuar më 16 prill dhe do të hyjnë në fuqi nga 1 maji.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) e ka kundërshtuar ashpër vendimin e ZRRE-së, duke thënë se “rritja e çmimit të energjisë nuk do të mbetet rast i izoluar, por do të prodhojë rritje të çmimeve të tjera”.
Zakonisht, tarifat e reja hyjnë në fuqi më 1 prill, çdo vit. Këtë vit kjo gjë po ndodh një muaj më vonë për shkak të ankesave dhe reagimeve të shumta.
Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë, kurse ZRRE-ja bën rishikimin e çmimeve çdo vit.
Rritja e çmimeve të rrymës është arsyetuar me mungesën e prodhimit të mjaftueshëm nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe nevojën për import me çmime më të shtrenjta ne bursat ndërkombëtare.
Si mund ta ndikojnë çmimet e reja shportën e konsumatorit?
Vendimi për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët dhe bizneset.
Rahime Mehmeti nga Prishtina, e cila punon në sektorin privat, thotë se çmimi i rrymës edhe tani është shumë i shtrenjtë. Për pesë anëtarë të familjes së saj, nëse e kursen rrymën, fatura mujore iu vjen 100 euro.
“E kursejmë rrymën në ekstrem. Gjatë dimrit nuk e kemi lëshuar vazhdimisht ngrohjen, e kemi edhe klimën, por nuk e lëshojmë shumë, për shkak se fatura na vjen deri në 150 euro në muaj”, thotë Mehmeti, duke shtuar se rritje e tarifave të energjisë e përkeqëson standardin e qytetarëve për shkak se pritet të rriten edhe çmimet e artikujve të tjerë.
Kundër shtrenjtimit janë organizuar dy herë protesta në Prishtinë, ndërsa grupi “Asnjë cent më shumë”, të premten ka bërë të ditur se më 19 prill do të organizohet protesta e radhës. /REL/