Fazë e portokalltë në RMV, rekomandohet lirimi nga puna i kategorive të rrezikuara

    Maqedonia e Veriut sot ka hyrë në fazën portokalli. Qeveria në seancën e djeshme ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta që priten në katër ditët e ardhshme dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse.

    Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike dy ditë më parë bëri të ditur se nën ndikimin e valës së të nxehtit do të ketë një periudhë me mot stabil dhe shumë të nxehtë me temperatura ditore në pjesën më të madhe të vendit mbi 35 gradë.

    Siç theksuan, temperaturat e mëngjesit në Shkup dhe në pjesët jugore nuk do të zbresin nën 20 gradë.

    Vapë do të jetë veçanërisht ditën e enjte dhe të premte, kur temperatura do të kalojë 40 gradë dhe do të jetë aktiv niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta.

    Në fazën portokalli do të hyjnë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa.

    Prandaj, duke filluar nga sot, 13 korrik 2023 (e enjte), do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës. 

    Sipas asaj që është miratuar, Qeveria rekomandon:

    • Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më vulnerabël të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
    • Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
    • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për të vetmuarit, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët. Punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.

    Sipas informacioneve të marra, Qeveria vendosi:

    • Autoritetet shtetërore dhe ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet;
    • Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës për të mbrojtur punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin në ambient të hapur në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
    • Të gjitha personat juridikë që kryejnë veprimtari në ambient të hapur, të ndërpresin veprimtarinë e tyre në periudhën prej orës 11 deri në 17:00 dhe kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit;
    • Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës në periudhën nga ora 7:00 deri në orën 17:00, në atë mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00.

    Qeveria vendosi që këto masa të zgjasin katër ditë, nga data 13 deri më 16 korrik, pra gjatë dy ditëve të ardhshme të punës, të enjten dhe të premten, si dhe për dy ditët e fundjavës së ardhshme, të shtunën dhe të dielën, deri në vendimin e radhës.

    Lajmi Paraprak

    OKB-ja kërkon zgjatjen e marrëveshjes së grurit, i ofron Rusisë qasje në SWIFT

    Lajmi i rradhës

    Gjermania pergatit strategji të re për Long-Covid

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë