FESTAT ME FATURË MË TË KRIPUR | As kontrollet shtetërore nuk e ndalën rritjen e çmimeve

    Çmimet e produkteve ushqimore në prag të festave vazhdojnë të ndjekin të njëjtin skenar të përsëritur çdo vit, rritje të menjëhershme në raftet e marketeve dhe reagim të vonuar nga institucionet. Ndërsa Qeveria pritet të vendosë për një paketë të re masash për kufizimin e marzheve dhe uljen e TVSh-së për produktet bazë, tregu tashmë ka reaguar në drejtim të kundërt me interesin e qytetarëve.

    Sipas të dhënave nga terreni dhe kontrolleve të realizuara nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në rreth 800 pika shitjeje, rritja e çmimeve është veçanërisht e dukshme në produktet më të përdorura për tryezën festive. Vezët, të cilat në javët e zakonshme shiten me çmime më të qëndrueshme, para festave pësojnë rritje të menjëhershme, duke u shtrenjtuar për disa denarë për copë ose për pako. I njëjti trend vërehet edhe te vaji i gatimit ku çmimi këtë javë arriti në 100 denarë për litër dhe buka 35 denarë, si dhe produkte që përbëjnë bazën e konsumit ditor dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin familjar.

    Në disa markete, çmimet e frutave dhe perimeve kanë arritur nivelet më të larta të muajve të fundit, pavarësisht se sezonaliteti do të duhej të sillte stabilizim ose ulje. Domatet, specat apo kastravecat shpesh shfaqin luhatje të menjëhershme, ku çmimi i tyre ka arritur deri ne 350 denarë, ndërsa arsyetimet lidhen zakonisht me importin, kostot e transportit apo furnizimin e kufizuar. Megjithatë, për konsumatorin përfundimtar, këto justifikime kanë pak rëndësi, pasi efekti është i njëjtë, një faturë më e lartë në arkë.

    Ndërkohë, kjo situatë nxjerr në pah një problem më të thellë strukturor, si mungesën e një mekanizmi efikas që parandalon rritjet spekulative të çmimeve në periudha të ndjeshme. Edhe pse kontrollet janë të shpeshta dhe raportet përgatiten në kohë, ndikimi i tyre në treg mbetet i kufizuar. Në praktikë, kjo krijon një hendek mes veprimit institucional dhe realitetit ekonomik që përjetojnë qytetarët çdo ditë.

    Një tjetër element që ndikon në këtë cikël është rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Me dështimin e marrëveshjeve mes aktorëve të mëdhenj globalë, çmimi i derivateve ka arritur nivele të reja, duke reflektuar menjëherë në kostot e transportit dhe më pas në çmimet finale të produkteve ushqimore. Megjithatë, ajo që bie në sy është shpejtësia me të cilën këto rritje transmetohen te konsumatori, në krahasim me ngadalësinë e uljeve, kur kushtet në treg stabilizohen.

    Në këtë kontekst, masat që paralajmërohen nga autoritetet shpesh perceptohen si të përkohshme dhe reaktive, më shumë se sa si zgjidhje afatgjata. Kufizimi i marzheve apo ulja e TVSH-së mund të sjellin lehtësim të menjëhershëm, por pa një kontroll të qëndrueshëm dhe transparencë më të madhe në formimin e çmimeve, efekti i tyre mbetet i kufizuar. Ndryshe, për qytetarët, festat që tradicionalisht lidhen me bollëk dhe tryeza të pasura, po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një sfidë financiare. Rritja e çmimeve të produkteve bazë nuk është më një përjashtim sezonal, por një praktikë e parashikueshme, që përsëritet çdo vit me të njëjtin rezultat, një barrë më e madhe për buxhetin familjar dhe një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie ekonomike. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mavrovë-Rostusha hap thesin ndaj migrimit: shpërblime për lindjet

    Lajmi i rradhës

    Gjuha mund të tregojë probleme me vitaminat, tiroiden ose gjumin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë