Mavrovë-Rostusha hap thesin ndaj migrimit: shpërblime për lindjet

    Mavrovë / Fotografia: Emir Hamzi

    Komuna rurale Mavrovë-Rostushë, e cila ballafaqohet me problemin e madh të migrimit, ka ndërmarrë masa të ndryshme për uljen e migrimit, por edhe për stimulimin e natalitetit. Kjo komunë, sidomos, praktikon përkrahjen financiare të nxënësve, studentëve, por edhe të lindjeve. Një masë të tillë e ka aprovuar pushteti vendor, duke rritur ndihmën për fëmijën e parë të lindur, si dhe duke filluar pagesën e ndihmës për fëmijën e dytë dhe të tretë në familje.

    Në Komunën Mavrovë-Rostushë, migrimi është shqetësues dhe arrin deri në 70 për qind, tha sot për gazetën Koha, Fikret Ibraimi, zëvendëskryetar i Komunës së Mavrovë-Rostushës.

    Pjesa më e madhe e mërgimtarëve është në Itali dhe në disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian, thotë Ibraimi, duke shtuar se janë ndërmarrë masa për ndihma që kanë të bëjnë me rritjen e natalitetit.

    “Me vendimin e institucioneve të pushtetit vendor, faktikisht është rritur ndihma financiare për fëmijën e parë të lindur në familje dhe, për herë të parë, ka edhe ndihma për lindjet e dyta dhe të treta. Për fëmijën e parë të lindur, tani ndihma financiare është 10.000 denarë. Komuna, po ashtu, për herë të parë ka sjellë vendim që të ndihmohet edhe për fëmijën e dytë dhe të tretë. Për fëmijën e dytë të lindur, ndihma është 18.000 denarë, kurse për fëmijën e tretë ndihma është 25.000 denarë”, thotë Fikret Ibraimi nga sektori për marrëdhënie me publikun.

    Ai shton se në këtë mënyrë stimulohet nataliteti i çifteve të rinj. Kjo vlen, sipas tij, vetëm për banorët që jetojnë në vendlindje. Këto janë masa të nevojshme me qëllim që të stimulohet nataliteti i çifteve të rinj dhe njëkohësisht të ulet edhe migrimi i popullatës.

    Në këtë komunë, që gjendet në pjesën perëndimore të vendit, tashmë ka një ulje drastike të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme. Po ashtu, ka edhe shumë pak studentë, meqë të rinjtë masivisht po migrojnë drejt Perëndimit. Në fillim të çdo shtatori, pushteti vendor ka sjellë edhe vendime për ndihmë financiare për nxënësit dhe studentët.

    Komuna në fjalë, si dhe komuna tjetër rurale Qendër Zhupë, për shkak të migrimit masiv që arrin afër 70 për qind, viteve të fundit kanë pasur shumë probleme me sigurimin e censusit zgjedhor. Për këtë shkak, si në Mavrovë-Rostushë, ashtu edhe në Qendër Zhupë, në zgjedhjet lokale është bërë organizimi i përsëritur i zgjedhjeve, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimet klimatike në RMV po ndodhin më shpejt se politika

    Lajmi i rradhës

    FESTAT ME FATURË MË TË KRIPUR | As kontrollet shtetërore nuk e ndalën rritjen e çmimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë