Rrezikohet fillimi i vitit të ri shkollor me prani fizike në rast se përqindja e mësimdhënësve të imunizuar kundër Covid19 është shumë e ulët. Edhe pse vaksinimi i mësimdhënësve nuk do të jetë i obligueshëm, ministri i shëndetësisë Filipçe apeloi që të njëjtit të vaksinohen me qëllim që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike.
“Ky është faktor rreziku por mendoj se është herët të flasim për këtë aspekt sepse duhet ta shohim njëherë se sa do të vaksinohen dhe pastaj të bisedojmë. Besoj se do të rritet vetëdija jo vetëm tek mësimdhënësit por dhe te të gjithë që shprehin skepticizëm për vaksinim. Ja dhe përmes kampanjave që do fillojnë, përmes debateve që duam t’i organizojmë me ekspertë jo vetëm mësimdhënësit dhe të punësuarit nëpër shkolla, por kjo vlen për të gjithë institucionet që sa më shumë persona të vaksinohen”- deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Kreu i Sindikatës për arsim thotë se nuk mund të detyrohen mësimdhënësit të vaksinohen, ndërsa nga autoritetet kërkoi të nisin një fushatë ndërgjegjësimi.
“Varësisht përqindjes se sa mësimdhënës do të vaksinohen, patjetër të merret parasysh edhe numri i mësuesve të cilët e kanë kaluar virusin, që nuk është numër i vogël kështu që ata kanë imunitet. Konsideroj se është shumë i ulët numri i atyre të cilët nuk duan të vaksinohen. Mendoj se derisa ka numër të mjaftueshëm të vaksinave dhe derisa shteti siguron dinamikë të mirë të vaksinimit mendoj se do të ketë numër të mjaftueshëm të të vaksinuarve në sektorin e Arsimit”- tha Jakim Nedellkov, Kryetar I SASHK-ut.
Vaksinimi i mësimdhënësve pritet të fillojë javës së ardhshme. Nga MASH nuk tregojnë detaje se sa mësimdhënës janë paraqitur, por thonë se listat me emrat e punonjësve në arsim janë dorëzuar në ministrinë e Shëndetësisë.
Me ardhjen e 100.000 vaksinave Pfizer dhe 500.000 Sinovak, javës së ardhshme pritet të rritet dukshëm numri I qytetarëve të vaksinuar. Deri më 15 korrik do të vaksinohen të gjithë të paraqiturit përmes ueb faqes vakcinacija.mk. Derisa nuk do ketë të paraqitur online, pikat e vaksinimit do jenë të hapura për të gjithë qytetarët të cilët duan të vaksinohen kundër Covid-19./Alsat/