Filipçe pretendon se s’ka pasur njohuri për keqpërdorimin e terapive në onkologji

    Ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pretendon se nuk ka pasur asnjë njohuri për keqpërdorimin e terapive në Klinikën e Onkologjisë. Filipçe u përgjigj para deputetëve në Komisionin hetues për Onkologjinë në të cilin më herët kanë dëshmuar edhe funksionarë dhe ish funksionarë të tjerë.

    “Deri sa unë isha ministër, asnjëherë deri te unë nuk ka mbërri një informacion i tillë për ndonjë dyshim nga ndonjë shoqatë, institucion ose kushdo për sistemin keqpërdorimi gjatë dhënies së terapisë por përkundrazi kishte “feedback” pozitiv nga të gjithë ata që edhe sot janë falënderues për këtë terapi”, tha Venko Filipçe, ish ministër i Shëndetësisë.

    Filipçe lavdëroi Nino Vasev si profesionist, ish drejtorin e Klinikës në periudhën e të cilit besohet se ka ndodhur vjedhja dhe shitja e terapive të kancerit në të zezë.

    “Sipas jush, drejtori Vasev a ka pa punuar në mënyrë etike, sipas etikës mjekësore, sipër betimit të Hipokratit dhe në përputhje me të gjitha aktet ligjore sipas të cilave duhet të funksionojë një klinikë, gjegjësisht drejtori mjekësor i asaj klinike?”, u shpreh Rashela Mizrahi, deputete e VMRO-DPMNE-së.

    “Vlerësoj se doktor Vasev është profesionist i shkëlqyer, gjithmonë i gatshëm të ndihmojë secilin, madje edhe në kushte të tollovive të mëdha, në kushte të mungesës së kapaciteteve. Nëse ekzistojnë dyshime për punën e tij, ajo absolutisht duhet të hetohet”, tha Venko Filipçe, ish ministër i Shëndetësisë.

    “Ai për të cilin ju deklaroni se është mjek dhe menaxher profesionist nuk ka formuar kolegium profesionist. Kjo bëhet detyrimisht sipas protokolleve që i cakton Ministria e Shëndetësisë por protokolle nuk ka pasur. Ju me këtë keni mundësuar veprim diskrecional (të drejtorit) dhe ku ka veprim diskrecional mund të ketë edhe keqpërdorime ose dalja nga kufijtë e të drejtës gjë që në këtë rast është realitet me pasoja katastrofale”, theksoi Gordana Siljanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

    Ish ministri Filipçe hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se ai ka siguruar terapinë e nevojshme por menaxhimi i saj është në kompetencë të klinikës.

    “Roli i ministrisë dhe i ministrit është të mundësojë qasje deri te terapia dhe ne e bëmë atë. E siguruam terapinë e nevojshme, në sasi të mjaftueshme për secilin pacient, edhe për ata që ishin diagnostikuar shpejt, që të mos ketë ndërprerje në vazhdimin e terapisë. Gjithçka tjetër që i takon kontrollimit dhe dhënies së ilaçeve, është punë e menaxhimit dhe e klinikës. Ministri nuk ka qasje se si jepen terapitë në klinika. Ajo është punë e menaxhmentit, e motrës kryesore”, u shpreh Venko Filipçe, ish ministër i Shëndetësisë.

    Para Filipçes, në Komisionin hetues në Kuvend kanë dëshmuar edhe ish ministri Bekim Sali, dhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski. Sali kishte deklaruar se ka pasur dyshime për funksionimin e Klinikës dhe ka kërkuar nga ish drejtori Vasev plan për zgjidhje. Pasi Vasev nuk i ishte përgjigjur kërkesës së Sali, ai kishte iniciuar shkarkimin e tij. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE-ja pranon zgjedhje të dyfishta më 8 maj

    Lajmi i rradhës

    Sasho Mijallkov dhe të akuzuarit e tjetër lirohen nga akuza për përgjimet masive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë