Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar ndaj protestave për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përcjell Nistori.
“E dënoj fuqishëm përpjekjen që provimi i jurisprudencës të shndërrohet në mjet për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respektimi të rendit juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase si diskriminim përbëjnë manipulim të rrezikshëm të opinionit publik dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues.
Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përbën themelin e sistemit institucional dhe juridik.
Është e papranueshme që tema të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin juridik, të përdoren për përfitime politike ose për nxitjen e tensioneve ndëretnike.
Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas axhendave të përditshme politike apo presioneve nga rruga. E drejta për të protestuar është e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë të kërkojë rrënimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor përmes protestave të dhunshme.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional dhe të arsyeshëm, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit gjyqësor dhe as minimizimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe e rendit institucional.
Gjuha maqedonase nuk është pengesë — ajo është detyrim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, thuhet në reagimin e ministrit Filkov.
Ndryshe, dje u mbajt protesta e dytë e studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Studentët marshuan nga Ura e Gurrit deri te Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar realizimin e kësaj të drejte. /Nistori/






