Finlanda anëtarësohet në NATO, bëhet anëtarja e 31-të e NATO-s

    Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit në Bruksel të martën, 4 prill, në atë që Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti “ditë historike”.

    Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.

    Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.

    “Putini kishte deklaruar se qëllimi i pushtimit të Ukrainës [ishte] të kishte më pak NATO, ai donte më pak NATO përgjatë kufijve të tij, donte ta mbyllte derën e NATO-s. Ai po merr pikërisht të kundërtën”, tha Stoltenberg pas anëtarësimit të Finlandës.

    Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.

    Si akt të parë pas anëtarësimit, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ratifikimin e kërkesës së Suedisës për anëtarësim në NATO.

    Pas anëtarësimit, edhe presidenti finlandez, Sauli Niinsto, dha mbështetje për kërkesën e Suedisë për anëtarëim në aleancën ushtarake.

    “Anëtarësimi i Finlandës nuk është i plotë pa anëtarësimin suedez. Puna për anëtarësimin e hershëm të Suedisë vazhdon pa pushim”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, në një konferencë për media pas ceremonisë së pranimit.

    Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

    Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

    Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

    Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

    Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

    Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016. /REL/

    Lajmi Paraprak

    MICKOSKI: DO TË VIJË KOHA PËR LLOGARIDHËNIEN E 30 MILIONË EUROVE TË DYSHIMTA PËR KORRIDORIN 8&10 D

    Lajmi i rradhës

    Pushteti vendosi gurthemelin e Korridorit 8 pa lopata e beton

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë