Pushteti vendosi gurthemelin e Korridorit 8 pa lopata e beton

    Ndonëse pa lopata dhe pa beton, në rrugën Tetovë-Gostivar u vu gurë themeli i Korridorit 8. Ende pa filluar punimet për asnjë korsi, kryeministri Dimitar Kovaçevski me plot optimizëm tha se Maqedonia nga rreth rrotullim po bëhet udhëkryq i Ballkanit.

    “Nëse Maqedonia e Veriut deri tani ishte rreth rrotullim, tani me Korridorin 8 bëhet udhëkryqi i vërtet i Ballkanit. Kjo është e ardhmja jonë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti gjeti kohë për pak fjalë të urëta popullore.

    “Të lidhësh me ura e brigje një Ballkan të tërë është punë e ndritshme që do të shërbejë drejtpërsëdrejti në lidhje edhe më të forta të miqësive”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

    Zëvendëskryeministri, Artan Grubi falënderoi kreun e partisë për mundësinë.

    “Bac u krye kryetar edhe kjo punë. Faleminderit”, u shpreh Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
    Ambasadorja e SHBA-ve Angela Aggeler u lut që punimet të përfundojnë në kohë.

    “Ky është një investim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmen e vendeve të lidhura me Korridorin 8 dhe më gjerë”, deklaroi Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve.

    Ndërkohë drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore, Ejup Rrustemi u përfshi nga emocionet.

    “I nderuar kryeministër, i nderuar kryetar i Parlamentit, i nderuar kryeministri i parë, i dashur kryetar Ali Ahmeti. Ministrin e Transportit, zotëri Kovaçevski”, u shpreh Ejup Rrustemi, Drejtor i NP Rrugët Shtetërore.

    Gurë themeli i Korridorit 10-D do të vihet javën që vjen. Ndërtimi i dy korridoreve në 4 pjesët e parapara përfshinë 110km rrugë autostradë, ndërsa kap vlerën e 1.3 miliard eurove. Në këtë shumë nuk është përfshirë shpronësimi që nënkupton rritjen e kostos. Kompania ndërtuese do të jetë konzorciumi turko-amerikan Bechtel&Enka. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Finlanda anëtarësohet në NATO, bëhet anëtarja e 31-të e NATO-s

    Lajmi i rradhës

    AI mund të shkaktojë dëme të tmerrshme – duhet të kontrollohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë