FJALORI DEGRADUES QË PO SHTON APATINË! / Vazhdojnë përplasjet e ashpra te blloku shqiptar

    Me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në rrjetet sociale ka filluar të përdoret gjuhë e vrazhdë nga politikanët dhe bartësit e funksioneve publike. Përdorimi i gjuhës së vrazhdë dhe ofenduese nga politikanët shkakton një dëm të pakthyeshëm për kulturën politike dhe sferën publike. Kjo sjellje shpesh ul nivelin e debatit dhe shmang vëmendjen nga çështjet thelbësore. Kur politikanët bëjnë thirrje për urrejtje ose përdorin fjalor jashtëzakonisht negativ, ata po e ndikojnë negativisht klimën politike dhe shkaktojnë ndarje në shoqëri. Gjithashtu kur gjuha e tyre është edhe raciste dhe e vrazhdë ndaj oponentin politik. Kjo sjellje nxis tensione dhe konflikte në vend të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve në mënyrë konstruktive.

    Përveçse ul nivelin e debatit dhe shkakton ndarje në shoqëri, përdorimi i gjuhës së vrazhdë dhe ofenduese nga politikanët gjithashtu pengon pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin politik. Kur qytetarët shohin që politikanët përdorin një gjuhë të keqe dhe agresive, ata ndjejnë shpesh mungesën e respektit dhe transparencës në politikë dhe humbasin besimin në institucionet demokratike. Kjo mund të çojë në apati politike dhe në një rënie të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe në angazhimin shoqëror, duke dëmtuar kulturën politike dhe stabilitetin e sferës publike.

    Së fundmi, Artan Grubi nga BDI, në një status në profilin e tij në Facebook përdori gjuhë të urrejtjes dhe ofendime që nuk i shkojnë përshtati një zyrtari të lartë partiak. Ai publikoi një këngë të një këngëtari të njohur dhe shkroi se kënga Semafori me tekstin shumë të qëlluar iu dedikohet:

    “Bill Rusit, Izet Afrikanit, Afrimi nuk e din as vet prej ku o se o habit, Arben Turkeminstanit, edhe njonit që s’ia din askush emrin, për krejt dashninë dhe që mi sollën dhe dhuruan nga shokët e tyre ruso-aziatiko-afrikan. A e dini atë, mungesa ime vërehet më shumë se prezenca juaj, unë edhe kur s’jam, ju më shihni n’ëndërr loqkomana, kiss e keni!”, shkroi Grubi.

    Përgjigja e menjëhershme ishte e liderit të LD-së, Izet Mexhiti, i cili me një gjuhë më të moderuar ju përgjigj Grubit duke thënë se “Artan kazinomani paska fol diçka”.

    “Por si përherë deri tash, qyshse e ka rrejtë dikush që merret vesh në politikë, ia paska huq keq! E çka pritet prej njerëzve që politikën e keqpërdorin për të shëruar komplekset fëminore dhe për ta ngushëlluar veten për faktin që në politikë, sado që mundohen, nuk i don askush?! Të tillët ofendojnë dhe kënaqen me faktin që pushteti ua mundëso n të ofendojnë. Por, siç thonë në Gjakovë, e gjakovari e merr vesh më së miri atë kod, ‘i keshni t’kesh!’, ose, për ta përkthy në gjuhën që e kuptojnë të gjithë, ‘i qeshuri të qesh! Por, 8 maji po afron miq. E atëherë as Mc Kresha, as Ledri, as Iliri, as Dafina, as PR agjentët që paguhen me paratë e kumarit nuk do ta shpëtojnë. Sepse populli e din më së miri, dhe populli vota nuk ka për kazinomanët”, shkroi Mexhiti.

    Politologu Meriton Tusha, për gazetën Koha, ka deklaruar se mungesa e argumentit të çon drejt fyerjeve personale. Sipas tij, kjo nuk e përjashton as rrafshin politik, ku ideologjitë politike janë inekzistente, por kjo nuk e shënjon vetëm këtë. Përkundrazi, siç tha ai, është edhe shënjues i një hapësire të thellë të klientelizmit.

    “Formë që është prevalente aty ku mungesa e ideologjive politike bashkëlidhet me korrupsionin. Kjo lloj përplasjeje në parim është apolitike, por qëndron dhe ushqehet me tjetrin si i keqi. Përsëritja e vazhdueshme e kësaj forme në këtë rrafsh prodhon spektakël. Këtu, mungesa e ideologjisë sjell zhgënjim politik, sepse e thekson rrugën qorre në të cilën ka ngecur një popull. Por në këtë terr, për tu mbajtur strukturat dominuese, vetvetiu krijohen forma argëtuese që e shpërfaqin vëmendjen nga krizat reale. Sidomos kur tek elita ndodh çarje, por ajo çarje nuk mund assesi të artikulohet si mospajtim ideologjik dhe si rezultat krijon një fushë përplasjesh verbale mes këtyre subjekteve ku subjekti është apolitik, por që krijon një ngjarje ku përmes gjuhës – duke e degraduar tjetrin – e shpalos cektësinë e tij”, deklaroi Meriton Tusha, politolog.

    Ai shtoi se përsëri edhe në këto kushte, populli – që në këtë rast shndërrohet në turmë – e ka të pamundur ta vë re cektësinë. Përkundrazi, siç shtoi ai, populli shndërrohet në grup tifozësh në ngjarjen ku përplasja merr pjesë.

    “I gjithë ky spektakël apolitik shfaqet si politik ku në përmbajtje ka një vrimë të thellë që shënjon mungesën e një vizioni e që vazhdimisht përmbushet me fyerje dhe degradime verbale. Në këtë rast spektakli e mbulon zhgënjimin, dhe derisa e mbulon zhgënjimin nuk ka pse të theksohet cektësia e fjalorit të elitës, që pas kësaj do i kishte paraprirë zhgënjimi politik. Nuk mungon as moralizmit në politikë që nuk i përket fare kësaj sfere. Kjo ndarje mes të mirit dhe të keqit, që nuk sjell gjë pos ndjesisë së rreme ku nga jashtë të dy palët njëherazi janë edhe të këqij dhe të mirë. Kjo vetëm e intensifikon përplasjen mes turmave ku futen në një cikël të pafund ku brohorisin në përkrahje të diskurseve verbale degraduese pa ndonjë zgjidhje reale të krizave”, përfundon Tusha.

    Lajmi Paraprak

    Mbyllen dyert e kopshteve për fëmijët e pavaksinuar

    Lajmi i rradhës

    PATRIOTIZËM ME BULLGARËT! / LSDM e VMRO vazhdojnë me të njëjtin diskurs

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë