Tetovë, vera sjell telashet për të sëmurët kronikë

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Rritja e temperaturave pas një periudhe të gjatë me reshje atmosferike, ka shtuar rrezikun për qytetarët që kanë sëmundje kronike dhe që të dalin në ambiente të hapura. Kjo kategori mbetet më e rrezikuara në këtë periudhë nga temperaturat e larta dhe ekspozimi I gjatë në diell ka pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Krahas kësaj, edhe qytetarët tjerë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos dalin pa nevojë në qytet por gjithnjë të gjejnë vende të freskëta për qëndrim. Periudha më e rrezikshme është nga ora 11:00 deri në orën 18:00, prandaj mjekët rekomandojnë për më shumë kujdes.

    “Qytetarët duhet në maksimum t`i shmangen ekspozimit në diell, duhet që të ndërpriten aktivitetet e rënda fizike, aktivitetet e ndryshme sportive, duhet që të konsumohen sasi më e madhe e lëngjeve, ushqimet duhet të jenë në porcione sa më të vogla, duhet që të jenë ushqime të freskëta dhe që lehtë treten. Poashtu veshja është shumë e rëndësishme, sidomos duhet që qytetarët të veshin ngjyra të hapura, për shkak të përthyerjes së rrezeve të diellit. Persona më të rrezikuar janë ata me sëmundje kronike, me sëmundje kardio-vaskulare, personat në moshë, fëmijët e kështu me radhë”, thotë Ardit Haliti, mjek.

    Ndërkohë, në këtë periudhë ka shumë organizime , ahengje dhe gazmende familjare, ku servohet ushqim përmbajtje të lartë yndyrore. Mjekët, me këtë rast theksojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për ushqimet. “Duhet që t`i largohemi ushqimeve yndyrore, për shkak se ata më rëndë treten, duhet ushqimet që të jenë në sasi sa më të vogla por duhet më shpesh të konsumohet. Në këtë rast duhet të zgjidhen ushqimet që më lehtë treten, të largohen nga ushqimet e konservuara, kurse ushqimet që përgatiten në mënyrë termike, duhet menjëherë të konsumohen pas përgatitjes dhe të mos ruhen gjatë në frigorifer”, nënvizon mjeku Ardit Haliti.

    Nga ana tjetër, qytetarët të cilët frekuentojnë pjesën qendrore, kanë në dispozicion disa çezma publike, pjesa më e madhe e tyre janë funksionale, përveç çezmës tek parku i Xhamisë së Pashës që është dëmtuar kohë më parë. Mjekët rekomandojnë që qytetarët sa më shumë të konsumojnë ujë dhe lëngje në këtë periudhë, kurse këta çezma publike duhet të përdoren nga qytetarët edhe për freskim.

    “Sigurisht se edhe kjo pjesë është e rëndësishme, duhet që të menaxhohet nga autoritetet përgjegjëse, duhet të ketë më shumë çezma publike, sepse në këtë periudhë është më e preferuar konsumimi sa më i madh i lëngjeve, Por, ne rekomandojmë që qytetarët në këtë rast të përdorin sa më shumë ujë që të mos vijë deri tek dehidrimi organizmit. Në këtë periudhë kemi edhe raste kur pacientët kolabojnë si pasojë e tensionit të lartë prandaj rekomandimet janë që qytetarët të dëgjojnë udhëzimet mjekëve por edhe të institucioneve tjera”, thotë mjeku Haliti.

    Gjithsej në qytetin e Tetovës ka rreth 20 çezma, kurse pjesa më e madhe e tyre është në pjesën qendrore, ndërsa planifikohen edhe disa të tjera të vendosen. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Flaka po djegë “gjurmët” e drejtësisë në RMV!

    Lajmi i rradhës

    Lloga: Këtë verë do të kemi ndryshime kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë