Fshati që jeton “vetëm” | Ata që mbetën, mbijetojnë me blegtori e bletari (Video)

    Jellovcë e Epërme e Gostivarit, ndoshta nuk është fshati i vetëm që po boshatiset, por është fshati i vetëm për shkak të përkatësive gjuhësore dhe lidhjeve kulturore. Ka qenë i përbërë nga myslimanë dhe ortodoksë shqipfolës dhe maqedonasë. Gjatë regjistrimit të viteve të 70-ta, fshati ishte pa banorë. Në tre dekadat e fundit, fshati çdoherë ka regjistruar dy-tre banorë të cilët nuk kanë jetuar rregullisht, por Zoran Zoksimovski jeton vazhdimisht dimër-verë. Ai jeton në kushte të vështira të fshatit. Merret me blegtori dhe bletari, kjo për të ushqyer familjen dhe për të shkolluar fëmijët, shkruan Nistori.

    “Ky është fshati Jellovcë e Epërme. Jam banor i vetëm dhe jetoj rregullisht këtu. Merrem me blegtori. Jam i punësuar në ELEM, rojtarë i ujërave të Sharrit. Gjatë sezonës verërore vijnë njerëz për fund javë, por jo edhe aq. Rruga është shumë e keqe, askush nuk i rregullon. Gjatë dimrit qëndrojmë të bllokuar nga bora e papastruar. Ka raste kur tre muaj qëndrojmë të bllokuar, madje edhe pa rrymë. Nëse rrëzohet ndonjë shtyllë, EVN nuk ka qasje për të ardhur që t’i rregullojë. Jemi të izoluar nga bota. Unë këtu jetoj qe 30 vite, rregullisht, domethënë dimër – verë. Isha i vetmi deri para pak kohësh, dimër – verë. Tani kam një komshi që merret me peshkatari. Ai është këtu qe katër vite, vazhdimisht edhe gjatë verës edhe gjatë dimrit. E kam pak më të lehtë, sepse kam një komshi. Nuk jam krejtësisht i vetëm. 30 vite jetoja vetë në fshat. Gjatë verës ka njerëz. Fshati është i shprazët nga vitet e 60-ta, kur filloi emigracioni, njerëzit shkuan në kurbet dhe fshati u boshatis.”

    Zoksimovski, tregon vështirësitë e jetës në fshat. Rrugën për në këtë fshat nuk mund ta kalosh me veturë, infrastrukturë të mirëfillitë nuk ka. Ka kërkuar disa herë nga institucionet që ta rregullojnë, kjo me qëllim për ta bërë lëvizjen më të lehtë, por edhe për të tërhequr turistë. Motivet për të qëndruar në fshat, ai i gjen te fshati, blegtoria dhe bletaria.

    Nistori: A vijnë njerëzit për ta vizituar fshatin?

    “Shumë dobët, tepër dobët, më shumë për shkak të rrugës së keqe. Rruga është katastrofë. Kemi kërkuar nga institucionet që ta rregullojnë. Askush nuk dëshiron ta rregullojë. Përveç se me Xhip, këtu nuk mund të vijsh me automjete të lehta. Edhe me Xhip e keni vërejtur edhe vetë se, rruga po bëhet më e keqe nga viti në vit. Vullneti ndaj fshatit, natyrës. Punën e kam pasur këtu, këtu jam rritur, blegtoria, pak bletaria. Kjo është e gjitha.”

    Atij i duhet të punojë shumë gjatë vitit që të jetë i gatshëm për dimrin, sepse rruga e bllokuar nga bora e bën të pamundshme lëvizjen për blerjen e gjësendeve deri në qytet. Ai lutet që mos të sëmuret ndonjëri anëtar i familjes, sepse duhet të kalojë shumë vështirësi për arritur në qytet.

    “Bukën, përgatitemi gjatë periudhës dimërore edhe atë që nga sezona e verës. Edhe mallrat që duhen, edhe për ne. Këtu mund të bjerë borë në tetor dhe mbyllemi, domethënë deri në tetor duhet të kemi gjithçka gati. Kashtën për bagëtitë, ushqimin për ne. Tash, vetëm mos dhashtë Zoti të sëmuremi, do të ishte e keqe për ne. Atëherë do të duhej ta shfrytëzoj kanalin. Kemi dy kanale që gjenden në ujërat e Sharrit dhe shkoj nëpërmjet asaj 5-6 km deri në vendin e caktuar, që rruga të vijë më e shkurtër me qëllim që mos të shkojë nëpër borë. Pas asaj dal në këmbë atje, nga këtu poshtë lëshohem për në Gostivar. Kam tre fëmijë. Mësojnë poshtë. Njëri e ka mbaruar shkollën e mesme. Momentalisht është në Slloveni, atje punon. Fëmijët, atje poshtë kam banesë, jetojnë poshtë. Vijnë gjatë fund javës, kur janë të lirë apo gjatë pushimeve vjetore.”

    Interes për fshatin nuk ka askush, agro kultura ka marrë fund në këto anë, emigrimi dhe lidhja me qytetin e ka bërë të veten, shkaqe që shumë njerëz të mos qëndrojnë në fshat. Heshjta e fshatit i flet shumë edhe politikës, por si duket kjo gjë ka hasur në vesh të shurdhër. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    FILLON PANAIRI I LIBRIT “TETOVA2022” | Autorët: Dashuria për librin vjen nga njohja, ejani dhe njihuni me librin

    Lajmi i rradhës

    Tabletë në vend të injeksioneve – A është efektive kundër infeksioneve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë