Fushata zgjedhore në Sofje nxit reagime në Shkup

    Shteti fqinj lindor përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen të dielën por kontesti mes Sofjes dhe Shkupit ka zënë vend edhe në këtë fushatë. Në videon promovuese partia e ish ministrit të Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, VMRO-BND, ka treguar pamje të Ohrit me mbishkrimin “Për bullgaren”.

    Partia e Karakaçanovit kishte pasur qëndrime dhe deklarata nxitëse edhe në fushatën e kaluar. Shkupi ka reaguar ndaj këtij materiali reklamues politik. Ministria e Punëve të Jashtme thotë se kjo nuk shërben në fuqizimin e dialogut, forcimin e besimit dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.

    Publikimi i video-klipeve parazgjedhore, në të cilat shprehen pretendime territoriale dhe ndjenja të njëanshme të përkatësisë dhe përvetësimit të një vendi tjetër fqinj, nuk është në frymën e ndërtimit të miqësisë dhe respektit për vlerat evropiane, për të cilat aq shumë angazhohemi bashkërisht. Presim që zyrtarët e Republikës së Bullgarisë të distancohen dhe t’i dënojnë paraqitjet e tilla të njërit prej pjesëmarrësve të mundshëm politik në shtëpinë më të lartë të Bullgarisë – njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

    Pushteti ekzekutiv në Sofje prej muajsh drejtohet nga një Qeveri teknike e propozuar nga Presidenti Rumen Radev pasi tre mandatarët që dolën nga rezultatet e zgjedhjeve të 4 prillit nuk arritën të krijojnë shumicën. Edhe pse partitë shpresojnë të nxisin më shumë njerëz të dalin në votime, anketat parashohin se dalja do të jetë madje edhe më e ulët se në prill.

    Anketat tregojnë si favorit koalicionin e drejtuar nga partia GERB e ish kryeministrit Bojko Borisov por me një diferencë shumë të vogël nga subjekti politik “Ka popull të tillë”. Partitë e tjera kanë një diferencë më të madhe për nga votat e pritura.

    Këto zgjedhje në Bullgari janë të rëndësishme për autoritetet në Shkup të cilët presin zgjedhjen e qeverisë politike dhe vazhdimin e negociatave për heqjen e vetos bullgare në procesin euro-integrues./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk do të ketë shërim falas për ata që refuzojnë të vaksinohen

    Lajmi i rradhës

    “Virusi sinsicial”, dhjetëra fëmijë me sëmundje respiratore në rajonin e Gjevgjelisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë