Gashi në Washington: mbetemi të përkushtuar për një politikë stabile në rajon

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në fjalimin e tij në Samitin parlamentar të NATO-së që po mbahetnë Uashington, ka vlerësuar se vendi gjendet në rajonin e brishtë ku ka ndikime malinje, duke premtuar se vendi mbetet i përkushtuar në promovimin e politikave të stabilitetit rajonal.

    “Jemi të vetëdijshëm se jemi vend anëtar i NATO-s në rajonin e brishtë ku nuk janë të gjitha vende anëtare të NATO-s ose kanë shkallë të ndryshme të partneritetit me Aleancën, si dhe shumë ndikime të jashtme malinje, por ne edhe më tutje mbetemi të përkushtuar për të promovuar atmosferë dhe politikë të stabilitetit rajonal. Këtë e realizojmë duke vazhduar kontributin konkret në operacionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë, ndërsa në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, jemi aktivë në misionin e NATO-s në Irak dhe mbështetjen e parezervë të Ukrainës. Këto sfida imponojnë edhe ngritjen e nivelit të partneritetit unik dhe thelbësor me Bashkimin Evropian për të forcuar komplementaritetin e tij strategjik me NATO-n. Të gjitha vendet anëtare dhe parlamentet e tyre duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Dialogut Strukturor NATO-BE që përfshin rezistencën, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe përmirësimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes. Dhe sigurisht, dua të përmend dhe të theksoj rëndësinë e vokalitetit tonë, zëshmërisë së parlamenteve dhe parlamentarëve, si instrument i pazëvendësueshëm demokratik për kalibrimin e të gjitha nevojave dhe prioriteteve civile – pa parlamente, qeveritë janë të pafuqishme në realizimin e qëllimeve të përcaktuara strategjike. Në këtë kontekst dua të theksoj rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s i lidhje midis parlamenteve dhe njerëzve të Aleancës dhe NATO-s”, tha mes tjerash Gashi.

    Në këtë Samit, ku shënohet 75-vjetori i themelimit të NATO-s, Gashi uroi pranimin e Suedisë dhe Finlandës dhe tha se ky vendim ka forcuar më shumë Alencën më të fuqishme në botë.

    “Duke e përshëndetur këtë jubile, më lejoni të uroj sinqerisht edhe pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, me të cilat kemi forcuar ndjeshëm Aleancën. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut para disa muajsh miratoi Deklaratën me të cilën e shënuam katërvjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe 75-vjetorin e themelimit të Aleancës, me të cilën manifestuam vetëdijen për përgjegjësinë për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga anëtarësimi në NATO dhe kontributin në arritjen e mbrojtjes kolektive. Në të njëjtën kohë, si Kuvend qysh në fazën fillestare kemi dhënë mbështetje dhe akoma qëndrojmë pranë vendimit të përbashkët të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të mbrojtur vlerat e përbashkëta demokratike nëpërmjet themelimit të Qendrës për Rezistencë Demokratike në selinë e NATO-s, gjë e cila u konfirmua edhe një herë përmes Deklaratës së miratuar në Sesionin Pranveror të paradokohshëm në Sofje”, tha mes tjerash Gashi.

    Lajmi Paraprak

    Digjitalizimi, qëllim strategjik i qeverisë së RMV

    Lajmi i rradhës

    Lorkowski: Maqedonisë së Veriut i nevojitet strategji për dekarbonizim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë