Gazetarët sot protestuan para Qeverisë dhe Kuvendit: Punojmë për qytetarët e jo për partitë

    ShGM &SPGM duke protestuar para Qeverisë së RMV / Fotografia: Nistori

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) sot kanë protestuar para Qeverisë dhe kanë marshuar deri para Kuvendit, ku të bashkuar shprehën pakënaqësitë e tyre, gjegjësisht për sulmet ndaj gazetarëve, fyerjet dhe poshtërimet nga politikanët, konkurrencën e pandershme, kushtet e pasigurta në të cilat punojnë gazetarët, si gjendja e keqe socio-ekonomike, raporton Nistori.

    Gjatë marshimit u dërguan mesazhe nga përfaqësuesit e ShGM-së dhe SPGPM-së.

    “Punojmë për qytetarët e jo për partitë”; “Na falni, të ju pyesim se, në çfarë ore jeni zgjuar sot”; “U përpoqën edhe më herët të na mbyllin gojën, nuk munden as tash”; “Fyerjet ndaj gazetarëve janë nënvlerësim i qytetarëve”; “Stop për PR agresiv shtetëror”.

    Ata para Qeverisë paraqitën edhe disa kërkesat, të cilat iu dërguan Qeverisë dhe Kuvendit, si në vijim:

    – Miratimi urgjent i ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat e gazetarëve dhe punën e mediave, dhe zbatimin e tyre në mënyrë të përpiktë
    – Funksionarët shtetëror dhe politikanët të respektojnë gazetarët dhe kameramanët
    – Të ndalojë PR-i agresiv shtetëror
    – Mbështetje për gazetarët dhe mediat lokale
    – Respektimi i të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias
    – Kushte të sigurta pune për gazetarët dhe punonjësit e medias

    Para Kuvendit të RMV-së folën disa gazetarë, si Mlladen Çadikovski, Senat Zylbehari, Sashka Cvetkovska nga IRL, Dushica Mrgja, Sllavica Filipovska-Ivanova, si dhe kameramani Vedut Osmani. Ata kërkuan nga institucionet vëmendje për kërkesat e tyre. Disa gazetare përçuan mesazhin dhe përvojat e tyre se, gratë si punonjëse mediatike janë më të sulmuarat.

    “Kemi kërkesa serioze për Qeverinë dhe Kuvendin: Të ndalet tendenca negative e fjalës degraduese nga ministra, drejtorë, politikanë, ndaloni PR-në agresive shtetërore, mbështetje për kolegët në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje sistematike për përmbajtje cilësore gazetareske dhe paga dinjitoze, zbatimi i ligjeve të rëndësishme në gazetari”, tha mes tjerash Çadikovski i cili theksoi se për të gjitha këto kërkesa i kanë dorëzuar Qeverisë plan veprimi me pika, nënpika dhe afate zbatimi.

    “Jemi ngopur me justifikime, kjo është gjëja më e rëndësishme për të siguruar një mjedis demokratik në të cilin do të çimentojmë lirinë e fjalës si imperativin më të fortë për funksionimin e shtetit, kërkojmë respekt për profesionin e gazetarit, për gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, askush nuk duhet të na nënvlerësojë dhe të na ofendojë sepse punojmë për qytetarët”, tha Çadikovski.

    Gazetari Senat Zylbehari tha se mesazhi i protestës është i qartë se, në asnjë mënyrë nuk mund t’i heshtin gazetarët, ata do vazhdojnë që të raportojnë në interes të qytetarëve, pavarësisht se politikanët i quajnë të shitur apo njerëz të ulur.

    “Arsyeja pse jemi këtu është shumë e qartë, të ngremë zërin për kolegët tanë gazetarë. 77 vjetorin e Shoqatës së Gazetarëve të vendosim ta festojmë në këtë mënyrë. Dihet se kolegët tanë fyhen dhe poshtërohen nga ana e atyre që janë zgjedhur nga qytetarët. Qëllimi është që të ndryshojnë qasje ndaj gazetarët. Shohim se dita ditës kemi më pak mediume, më pak gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë. Duam të përcjellim një mesazh se në asnjë mënyrë nuk mund të na heshtni, ne do vazhdojmë që të raportojmë në interes të qytetarëve, pavarësisht se ju na quani të shitur dhe njerëz të ulur, dhe çfarë do lloj fyerjesh tjera. Unë vij nga një rajon ku çdo ditë numri i gazetarëve është sa më i ulët. Shohim se gazetarët punojnë me një gazetarë, dy apo tre, kërkojmë nga institucionet që tu jepet sa më shumë rëndësi mediumeve. Ne do vazhdojmë të kërkojmë çdo ditë të drejtat tona. Ky marsh është një mesazh për ta se në asnjë mënyrë nuk mund të na heshtni”, tha Zylbehari.

     Pavle Bellovski nga SPGM shprehi mesazhin e tij të protestës se, sulmet ndaj gazetarëve janë sulm ndaj publikut dhe cenim për t’u informuar publiku.

    “Duhet t’i kemi të drejtat tona, sidomos duhet të jemi të qetë kur dalim në terren, jo të jemi me stres apo me panik se kur do shkojmë në terren se do na sulmojë dikush. T’i kemi të drejtat tona si kameramanë, ashtu edhe gazetarët dhe fotografët, të gjithë njëjtë”, tha kameramani Vedut Osmani.

    Sashka Cvetkovska tha se në IRL shumë padi janë dorëzuar në adresë të tyre, ndërkaq prania e vazhdueshme e gazetarëve para Kuvendit është në të mirë të qytetarëve. Ajo tha se sa herë kanë qenë të paditura dhe dënuara nga zyrtarët dhe kuazi mediumet të cilët u qëndrojnë prapa politikanët. Sipas saj, është koha që Kuvendi të reflektojë përgjegjësi.

    Ndryshe, sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Në ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në Kuvend, ligji garanton një siguri më të madhe ndaj punëtorëve mediatik gjatë kohës kur ata janë në krye të detyrës. Në ndryshim plotësimet e bëra në Kodin Penal parashikohen dënime më të rrepta për veprat vrasje, parandalim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës, rrezikimi i sigurisë dhe Detyrimi. 

    Ky marsh u organizua në vigjilje të 77 vjetorit të themelimit të ShGM-së. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    TETOVA IME JETIME!

    Lajmi i rradhës

    Dënime të rënda për ata që i sulmojnë gazetarët në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë