Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, David Geer sot vizitoi Komunën e Tetovës ku u bisedua për bashkëpunimin në mes BE-së dhe Komunës së Tetovës në disa fusha kryesore si: infrastruktura, mjedisi jetësor, dixhitalizimi dhe të rinjtë. Geer tha se BE-ja ndihmon Tetovën në përmirësimin e jetesës. Kasami u zotua për hapjen e “Shtëpisë së BE-së” në Tetovë, shkruan Portalb.mk.
Ambasadori Geer u shpreh se takimi u fokusua në tre pika kryesore: mjedisi jetësor, të rinjtë dhe dixhitalizimi.
“Biseduam si të mbështesim një Tetovë më të gjelbër, ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza. Gjithashtu mbjelljen e drunjve dhe jemi duke punuar në një projekt që ka të bëjë me zvogëlimin e ndotjes së ajrit përmes konvertimit të sistemit të ngrohjes në diçka që është e njohur si efikasiteti i energjisë elektrike në ndërtesat publike. Biseduam për zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive të të rinjve, për krijimin e një qendre për arsim profesional me qëllim që të ju mundësojmë të rinjve ti kenë shkathtësitë që duhet t’i kenë për tregun e punës. Biseduam se si të përmirësojmë shërbimet komunale për qytetarët. Javën e kaluar shënuam grantin që do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve digjitale në Tetovë”, tha mes të tjerash Geer.
Kryetari i Komunës së Tetovës tha se bashkë me administratën komunale do të punojnë që BE ta sjellin në Tetovë dhe kjo do të konkretizohet me një projekt konkret që është hapja e Shtëpisë së BE-së në Tetovë (Europe House).
“Biseduam për shumë projekte për të cilat jemi në fazën e realizimit apo në fazën e përgatitjes që i realizojmë bashkë në periudhën në vijim. Bashkëpunimi me BE-në gjithmonë ka qenë interes i veçantë për Komunën e Tetovës. Jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta kalojmë në planin praktik, në rritjen e mirëqenien e qytetarëve tetovar duke i zgjidhur problemet e tyre për një jetë më të mirë, me rrugë më të mira, me projekte infrastrukturore më të mira, më shumë gjelbërim”, tha Kasami.
Ndryshe, Komuna e Tetovës përmes projektit “EU for clean air” (BE-ja për ajër të pastër) bashkë me Shkupin, Kumanovën dhe Manastirin janë përfituese të grantit prej dhjetë milion euro, ku ky projekt ka për qëllim përmirësimin e ajrit përmes disa masave si përmirësimi i sistemit të ngrohjes në Institucionet publike në Komunën e Tetovës, mbjellja e pemëve në qytet si dhe vendosja e matësve mobil të ndotjes për të ofruar ajër më të pastër për një mjedis më të shëndetshëm.