Pronari i kompanisë Ecolog, Lazim Destani sot ka donuar 1 milion euro për Spitalin Klinik të Tetovës. Drejtori i spitalit Ilir Demiri falenderoi Destanin për këtë donacion, me të cilin do të rindërtohen disa hapësira në repartin e mjekësisë interne dhe ndërtimin e gjashtë ambulancave, raporton Nistori.
“Bëhet fjalë për rikonstruksion të hapësirave, pacientët ku do të jenë të hospitalizuar. 800m2 do të pajisen 24 dhoma me kushte bashkëkohore, ku do të kenë edhe banjon brenda dhomës. Nuk do të kenë nevojë për lëvizje. Kjo është një pjesë që e bën kompania Ecolog, ku do të bëjë edhe ndërtimin e gjashtë ambulancave, edhe atë ambulancës neurologjike, EG – MG, dy ambulancat të endikronologjisë, ambulancën e psikiatrisë dhe për fatin e mirë të fëmijëve, ambulancën e pediatrisë do të zbresë në katin përdhesë të Internos”, deklaroi Demiri.
I pari i Ecolog, Lazim Destani tha se punët e mira vetë nuk bëhen. Ai tha se qëllimi i donacionit të familjes së tij është që ta zë vendin e duhur.
“Kur bisedova me doktor Ilirin, ia thash disa fjalë. Ne mund t’ju ndihmojmë, por duam ndihma, buxheti që është paraparë (për spitalin e Tetovës), ta zë vendin e duhur, ku do të mund të shfrytëzohet maksimalisht. Ma dha fjalën se ashtu do të bëhet. Formuam ekipet, ku gjërat më me rëndësi të bëhen. Porosia ime është të bëhen ashtu siç janë në Europë, ku secili pacientë t’i ketë kushtet”, theksoi para medias Destani.
I pyetur nga Nistori se ku e gjen motivin për të ndihmuar shqiptarët, Destani tha se çdonjëri që ka mundësi të ndihmojë, e ka për borxh.
“Jo unë, por çdonjëri që ka mundësi apo i jepet mundësia ta bëjë një punë të mirë, qoftë kapitale apo mënyra tjera dhe nuk e bën, ai duhet ta llogaritë si kur e ka borxh. Domethënë si kur të jetë i detyruar ta bëjë, sepse i ka mundësitë dhe duhet ta bëjë. Ne jemi për atë se e kemi për borxh dhe po që se nuk e bëjmë, duhet ta kritikojmë veten”, shtoi ndër të tjera Destani.
Kujtojmë opinionin se kjo nuk është hera e parë që humanisti Lazim Destani e ndihmon vendin, si p.sh. shëndetësinë gjatë Covid-19. Ai para disa muajsh ndihmoi spitalin e Shkupit, ndihmoi në riparimin e varrezave të qytetit, të prekurit nga vërshimet në Tetovë dhe një listë e gjatë donimesh. /Nistori/