Gjashtë muaj luftë: Ç’u bë me “njerëzit më të rëndësishëm në planet”?

    Më 6 mars, policia ruse ka arrestuar më shumë se 5.000 njerëz në 69 qytete të ndryshme të Rusisë, për shkak të protestave kundër luftës në Ukrainë.

    Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj më 24 shkurt.

    Sipas organizatës OVD-Info, e cila monitoron represionin në Rusi, autoritetet atje, në dy javët e para pas pushtimit, kanë arrestuar në total rreth 13.500 aktivistë kundër luftës – në disa raste edhe në mënyrë brutale.

    Nga burgu, udhëheqësi i opozitës, Aleksei Navalny, më 11 mars, u ka bërë thirrje rusëve që të mos i nënshtrohen propagandës dhe frikësimit nga shteti, duke thënë se “maniaku i çmendur [presidenti Vladimir] Putin do të ndalet më shpejt nga populli rus, nëse ai e kundërshton luftën”.

    Duke i cilësuar protestuesit si “njerëzit më të rëndësishëm në planet”, Navalny, përmes një postimi në Instagram, i ka siguruar ata se rezistenca ndaj luftës nuk është “një betejë e kotë”.

    Përafërsisht në të njëjtën kohë, sociologu dhe aktivisti kundër luftës, Iskander Yasaveyev, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbështetja publike për luftën e Rusisë do të zbehet brenda “disa javësh”.

    “Një numër i konsiderueshëm njerëzish do të fillojnë ta krahasojnë situatën e tyre me atë që raportohet në lajme. Ata do ta kenë të qartë se po shohin gënjeshtra dhe propagandë”, ka thënë Yasaveyev.

    “Sa do të zgjasë kjo? Unë do të thosha: aq kohë sa njerëzit janë në gjendje të mashtrojnë veten. Ka shumë informacione atje, duke përfshirë shifra të besueshme të viktimave. Unë mendoj se njerëzit do të fillojnë të mendojnë se çfarë është në të vërtetë kjo luftë”, ka shtuar Yasaveyev.

    Por, gjashtë muaj më vonë, deklaratat e Navalnyt dhe Yasaveyevtit duken të zbrazëta.
    Sipas vlerësimeve të besueshme perëndimore, së paku 15.000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë në gjashtë muajt e fundit.

    Për më tepër, sipas një liste të përpiluar nga Universiteti Yale, mbi 1.000 kompani perëndimore janë larguar nga Rusia – gjë që paraqet një nga pasojat më të dukshme të sanksioneve që Perëndimi i ka vënë Rusisë, pas 24 shkurtit.

    Shumë protestues kundër luftës janë burgosur ose përballen me akuza penale që bartin burgime të gjata, ndërsa qindra mijëra rusë – shumë prej të cilëve janë kundër luftës – janë larguar nga vendi.

    Derisa lufta vazhdon, është jashtëzakonisht e vështirë të identifikohet ndonjë shenjë e ndonjë lëvizjeje masive anti-luftë, apo e pakënaqësisë publike.
    Lëvizja kundër luftës në Rusi mbetet e kufizuar në një numër të vogël individësh të guximshëm.

    “Ndjenjë e pafuqisë”

    “Unë jam gati të shkoj në burg”, thotë Olga Nazarenko, instruktore në një shkollë mjekësore. Ajo proteston e vetme në Ivanovo – rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës – pothuajse çdo javë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

    “Nëse kjo ndodh, do ta kryej dënimin dhe kur të lirohem, do të vazhdoj me detyrat e mia. Nuk kam frikë nga burgu. Njerëzit jetojnë edhe atje. Nuk mund të na fusin të gjithëve në burg. Ata nuk mund t’i heshtin të gjithë”, thotë Nazarenko.

    Ajo tregon se, fillimisht, ka marrë pjesë në protesta më masive kundër luftës, por, kur ato kanë filluar të rrallohen, ka nisur të protestojë e vetme.

    Nazarenko, po ashtu, thotë se shumë njerëz kanë reaguar “në mënyrë agresive” ndaj protestave të saj. Tregon se në kutinë e saj postare dikush i ka vizatuar shkronjën Z – e cila është bërë simbol i mbështetjes për luftën e Rusisë në Ukrainë – dhe i ka shkruar fjalët “kafshë ukrainase”.

    “…por unë e kam dekoruar mbishkrimin me lule blu dhe të verdha dhe tani duket disi bukur”, thotë Nazarenko.

    Një person është arrestuar me forcë gjatë një proteste kundër luftës në Yekaterinburg më 6 mars.
    Një person është arrestuar me forcë gjatë një proteste kundër luftës në Yekaterinburg më 6 mars.

    Në qytetin jugor të Astrakhanit, një studente 19-vjeçare, e cila kërkoi të identifikohet vetëm me emrin Dilara nga frika e pasojave për pikëpamjet e saj, thotë se në këtë vend “nuk ka pothuajse fare jetë politike”.Ekziston një ndjenjë e plotë e pafuqisë… se ne nuk kemi asnjë të drejtë, nuk kemi ndikim. Nëse je kundër luftës, je i dëbuar”.Dilara

    “Vitin e kaluar, kishte shpresa të mjegullta gjatë demonstratave në mbështetje të Navalnyt”, thotë ajo.

    “Por tani, unë nuk shoh asgjë të tillë. Ekziston një ndjenjë e plotë e pafuqisë… se ne nuk kemi asnjë të drejtë, nuk kemi ndikim. Nëse je kundër luftës, je i dëbuar”, shton Dilara.

    Ilmira Rakhmatullina është një koreografe 30-vjeçare nga Ufa – kryeqytet i rajonit të Vollgës në Bashkortostan – e cila ka protestuar rregullisht kundër luftës që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.

    Protesta në Rusi kundër luftës në Ukrainë

    Ajo është një nga 5.000 rusët e arrestuar gjatë protestave kombëtare kundër luftës, më 6 mars.

    “Natyrisht, në krahasim me atë që ka ndodhur në fillim të kësaj faze të luftës, janë gjithnjë e më pak njerëz në Rusi që po marrin pjesë në protestat kundër luftës”, thotë Rakhmatullina për Radion Evropa e Lirë.

    “Ata kanë frikë nga represioni kundër tyre dhe familjeve të tyre. Unë nuk kam ende burrë apo fëmijë, kështu që mund të jem më e guximshme. Nuk i dënoj njerëzit që kanë frikë. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të heshtim”, thotë ajo.

    “Nuk mund t’i bind”

    Rakhmatullina thotë se beson se protestat e saj “nuk janë të kota”, sepse, siç tregon, kalimtarët i shprehin mbështetje me gjeste. Kur futet në diskutime me “përkrahësit e agresionit”, thotë se përpiqet t’i bindë ata për pozicionin e saj.

    “…por unë nuk mund ta bind shumicën e tyre, që janë tërësisht të mbushur me propagandë zombifikuese”, thotë ajo.

    Sociologu nga Moska, Lev Gudkov, hulumtues kryesor për agjencinë e sondazheve Levada, thotë se pas një periudhe të shkurtër konfuzioni, shumica e publikut rus – “nën ndikimin e propagandës” dhe me qëllim shmangien e “rrethanave të pakëndshme të kësaj lufte” – ka përjetuar “një intensifikim të apatisë, indiferencës dhe shkëputjes nga gjithçka që ndodh atje”.

    “Dhe, çuditërisht, kjo ka ndodhur pikërisht midis atyre grupeve ku kam pritur reagim krejt ndryshe – te të rinjtë, njerëzit më të pasur, grupet më të arsimuara”, thotë Gudkov për Radion Evropa e Lirë.

    Shikoni edhe videon: Protestuesi rus kundër luftës, Vitaly Tsitsurov, ka muaj të tërë që e ka bërë piketimin e luftës së Rusisë në Ukrainë me një tabelë që lexon “Jo *ar!”

    Rusi "i guximshëm" proteston i vetëm në qytet kundër luftës

    Ai tregon se hulumtimi i tij dëshmon një “mungesë ndjeshmërie dhe humanizmi”, të cilën, pjesërisht, ia atribuon “totalitarizimit të dhunshëm”, të ndërmarrë nga sistemi i Putinit që nga vitet 2003-2004.

    Manifestime të këtij procesi, sipas tij, janë: glorifikimi i ushtrisë dhe policisë sekrete, promovimi i idesë se autoritetet kanë sovranitet mbi qytetarët dhe rehabilitimi i diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

    “Njerëzit normalë duhet të vijnë në pushtet”

    Me përvojën e gjashtë muajve të fundit, aktivistët kundër luftës thonë se e shohin të ardhmen me frikë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, shumica e tyre thonë se ndryshimi i vërtetë në Rusi do të marrë vite kohë apo edhe breza.Dua të besoj se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Gjëja kryesore është që njerëzit normalë të vijnë në pushtet. Unë me të vërtetë shpresoj se brenda 15 ose 20 vjetësh Rusia do të dalë nga kjo gropë, në të cilën ka rënë, dhe do të fillojë t’i rivendosë themelet normale njerëzore”.Ilmira Rakhmatullina

    “Dua të besoj se gjërat do të ndryshojnë për mirë”, thotë Rakhmatullina.

    “Gjëja kryesore është që njerëzit normalë të vijnë në pushtet. Unë me të vërtetë shpresoj se brenda 15 ose 20 vjetësh Rusia do të dalë nga kjo gropë, në të cilën ka rënë, dhe do të fillojë t’i rivendosë themelet normale njerëzore”, shprehet ajo.

    Vladimir Kuznetsov, një ish-gazetar 37-vjeçar në Penza, ka protestuar kundër pushtimit të Ukrainës që nga shkurti, duke shprehur pakënaqësinë e tij edhe me vepra arti.

    “Lufta do të përfundojë një ditë, por njerëzit duhet t’i shërojnë shpirtrat e tyre. Si? Unë besoj se mund ta bëjnë me ndihmën e artit”, thotë Kuznetsov.

    “Derisa nuk e ndryshojmë veten dhe Qeverinë tonë, asgjë nuk do të ndryshojë realisht”, shton ai.

    Protestat kundër luftës përhapen në mbi 50 qytete ruse

    Robert Latypov është ish-drejtor i një dege të Qendrës së të Drejtave të Njeriut “Memorial”, e cila tashmë është likuiduar. Në muajin korrik, ai ka njoftuar se është larguar nga Rusia.

    “Do të ketë një të ardhme të ndritur dhe shpresoj se do të jetojmë për ta parë atë”, ka thënë ai.

    Në qytetin jugperëndimor Voronezh, Nikita Golovizin ka varur një flamur ukrainas në ballkonin e tij dhe një pankartë ku shkruan: “Jo luftë”.Shumë gjermanë e kanë kundërshtuar Hitlerin. Por, të gjithë ata është dashur të paguajnë [për krimet e tij]. Dhe, të gjithë ne do të duhet të paguajmë gjithashtu”.Nikita Golovizin

    Ai thotë se rusët janë “të rraskapitur nga mashtrimi” dhe vitet e të qenët të paaftë për të ndikuar në ngjarje.

    “Njerëzit tashmë e pranojnë pafuqinë e tyre si normale”, thotë ai.
    Pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar rrjedhën e jetës së tij, thotë Golovizin.

    “Para 24 shkurtit, kisha një koncept për të ardhmen time, kisha plane. Asgjë nga to nuk ka mbetur. Më duhet të jetoj në labirint. Është e vështirë të shikosh njerëz duke u grumbulluar në protesta kundër luftës. Është e vështirë të lexosh internetin dhe të ecësh në rrugë, duke parë njerëz që veshin simbolin Z”.

    “Por, derisa të vdesim, ne jetojmë. Njerëzit kanë jetuar në kushte më të këqija, në kampe përqendrimi… Shumë gjermanë e kanë kundërshtuar Hitlerin. Por, të gjithë ata është dashur të paguajnë [për krimet e tij]. Dhe, të gjithë ne do të duhet të paguajmë gjithashtu”, thotë Golovizin.

    Nazarenko thotë se pret që ndryshimi në Rusi të marrë “100 vjet” kohë.

    “…nëse ne jemi në gjendje t’i rrisim fëmijët tanë siç duhet dhe ata janë në gjendje t’i rrisin të tyret siç duhet. Në një kohë do të ketë një numër të mjaftueshëm njerëzish që t’i fillojnë ndryshimet. Por, brezi im nuk do të jetojë për t’i parë ato”, thotë Nazarenko. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania dhe Kanadaja nënshkruajnë marrëveshje “historike” për hidrogjen

    Lajmi i rradhës

    Këshilli i Prokurorëve refuzon ankesën e Ruskovskës, suspendimi mbetet në fuqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë