GJED rrëzon ligjin gjerman për ruajtjen e të dhënave

    Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) konstatoi se ruajtja e të dhënave në Gjermani nuk është në përputhje me ligjin e BE-së. Qeveria gjermane tani do të përpilojë një ligj të ri për telekomunikacionin.

    Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) në Luksemburg konstatoi se ofruesit e shërbimeve të internetit dhe telefonisë nuk duhet t’i ruajnë pa shkak të dhënat e komunikimit të qytetarëve. Kush mban informacione kaq të ndjeshme për qytetarët mund të krijojë ide për zakonet dhe personalitetin e secilit dhe të mësojë shumë për jetën private. Ky cenim i privatësisë nuk është në përputhje me ligjin evropian, thuhet në një vendim të GJED-së, të publikuar të martën, 20.09.2022 në Luksemburg.

    Sipas vendimit del në pah se ligji gjerman i komunikacionit cenon privatësinë e qytetarëve. Sipas ligjit, operatorët e internetit dhe telefonisë duhet t’i ruajnë për katër deri në dhjetë javë informacione të tilla se kush, kur, ku dhe me kë ka folur në telefon, ose prej cilës adresë IP ka hyrë në internet.

    Prej vitit 2015 kur ka hyrë ligji në fuqi, ekziston një betejë gjyqësore e  operatorëve të telefonisë e internetit me shtetin gjerman. Për këtë arsye, prej vitit 2017 ligji nuk praktikohej. Kompania kryesore gjermane e telekomunikacionit, Deutsche Telekom, dhe ofruesi i shërbimit të internetit, SpaceNet AG, ishin ankuar sërish në Gjykatën Federale Administrative, e cila iu drejtua GJED-së.

    Kërkohet ligj i ri  

    Politika tani duhet të vendosë një ligj të ri për ruajtjen e të dhënave. Nga reagimet e para të ministrave të koalicionit tripartiak të qendrës së majtë, doli në pah se nuk ekziston ende një qëndrim i harmonizuar. Ministri liberal i Drejtësisë, Marco Buschmann, ( FDP) e përshëndeti vendimin. Në një mesazh publikuar në rrjetin social Twitter, ai tha të martën se është “një ditë e mirë për të drejtat e qytetarëve” dhe  se ky vendim hap rrugën për rregulloren e re. “Ruajtja e të dhënave pa shkak është e paligjshme në Gjermani. Tani do të heqim me shpejtësi dhe përfundimisht mbajtjen e pajustifikuar të të dhënave nga ligji,” shkroi Buschmann. Buschmann favorizon atë që quhet “ngrirje të menjëhershme të të dhënave”. Kjo bëhet për të parandaluar krime të rënda, si sulme terroriste ose dhunën seksuale ndaj të miturve dhe përhapjen e pornografisë me fëmijë.

    Deutschland Innenministerin Nandy Faeser

    Nancy Faser, ministrja socialdemokrate e Punëve të Brendshme: Do t’i shfrytëzojmë të gjitha hapësirat

    Ndërsa ministrja gjermane e punëve të brendshme, Nancy Faeser, nga Partia Socialdemokrate, u shpreh për të shfrytëzuar hapësirat që lejon vendimi i ri: “GJED e përcaktoi shumë qartë se cilat të dhëna duhen të ruhen për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe për luftimin e kriminalitetit të rëndë. Dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha hapësirat e mundshme”, tha Faeser para gazetarëve në Berlin.

    Po të martën, GJED mori një vendim të ngjashëm edhe për Francën. Shtetet anëtare të BE-së kanë argumentuar vazhdimisht në GJED se hetuesit kanë nevojë për akses në të dhënat e komunikimit. Megjithatë, në vitin 2020, gjykata me qendër në Luksemburg vendosi se ruajtja e të dhënave të komunikimit të qytetarëve, edhe nëse nuk ruhet përmbajtja e komunikimit, është përgjithësisht e paligjshme. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Scholz sulmon ashpër Putinin para OKB-së

    Lajmi i rradhës

    Gjermani: Fitim prej miliardash me krimin e organizuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë