Gjimnazistët e Tetovës në orë mësimore “si mysafir”, nuk kanë libra dhe detyrohen të mësojnë nëpërmjet dispensave

    Gazetare | Aleina Arsllani

    Për vite me radhë, nxënësit e gjimnazit, gjegjësisht ata të drejtimit matematiko-natyror A dhe B kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mungesë të librave të fizikës dhe biologjisë të cilat janë lëndë bazë për drejtimet në fjalë.

    Poashtu ekziston edhe problemi tek lëndët e tjera, siç janë Filozofia dhe Biznes dhe ndërrmarësi, ku nxënësit shërbehen me dispensa ose marrin shënime. Në lëndën e biznesit, planprogrami i lëshuar nga Ministria e Arsimit nuk është në përputhje me librat që janë në përdorim, ndërsa në lëndën e filozofisë materiali në libër nuk kuptohet dhe për zhvillim të orës mësimore shfrytëzohen dispensa interne me qëllim që nxënësit t’i kenë më të qarta mësimet e lëndës në fjalë.

    Nxënësja Anisa Bexheti nga gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, thotë se në mungesë të librave detyrohen të fotokopjojnë dhe të mësojnë me skripta.

    “Në mënyrë indirekte ne si nxënës detyrohemi të fotokopjojmë skripta të ndryshme, sepse nga po të njëjtat notohemi, duke konsideruar se s’kemi libra të lëndëve. Duhet pasur parasysh se disa nxënës nuk kanë mundësi të furnizohen vetvetiu dhe për këtë gjë nuk ka përgjegjësi, vetëm fjalë e jo vepra! Në këtë mënyrë i humb edhe serioziteti orës mësimore, e ne si gjimnazistë ndihemi si mysafirë në bankat shkollore, sepse n’a mungon elementi kryesor për zhvillimin e orës, libri!”, shprehet Bexheti.

    Për Nistorin kanë dhënë deklaratë dy profesorë, ai i lëndës së fizikës dhe biologjisë. Nga gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, profesor Isak Aliu thekson se ajo çfarë thonë organet e arsimit është krejtësisht e kundërta e realitetit me mungesën e teksteve shkollore.

    “Organet kompetente deklarojnë se për të gjithë nxënësit sigurojnë libra, por ky realitet ndryshon në rastin tonë, sepse nuk kemi libra të fizikës në gjuhën shqipe për drejtimet matematikore A dhe B të arsimit gjimnazor. Shteti nuk kujdeset madje as të sigurojë libra në gjuhën maqedone të cilat së paku të jenë ndihmesë për figura. Profesorët e lëndës e kanë të detyrueshme të gjinden brenda mundësive të veta për të realizuar orët mësimore”, deklaron Aliu.


    Nga gjimnazi “7 Marsi” profesori i biologjisë Sabit Beqiri ceku se për nxënësit të cilëve u ligjëron, ka bërë vet përkthimin e një libri të biologjisë nga gjuha maqedone. Ai potencon se librin e ka dorëzuar tek një fotokopje lokale dhe nxënësit të cilët dëshirojnë ta kenë, mund të drejtohen atje.

    “Para dy viteve, kam bërë vet përkthimin e librit nga gjuha maqedone me qëllim që nxënësit të mos ngelen pa material konkret, ndërsa e gjitha çka duhet është lektorimi i librit, që të shtyhet në përdorim, ashtu siç kërkojnë bazat ligjore.”- deklaron Beqiri.

    Sipas profesorëve, ky akt është një mospërfillje e organeve kompetente kundrejt palës shqiptare. Ata i bëjnë thirrje MASH-it që problemet e përmendura të merren parasysh dhe po të njëjtat të zgjidhen sa më shpejtë të jetë e mundur. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Drejtorët e rinj të spitalit të Tetovës emërohen në nëntor

    Lajmi i rradhës

    Ndihma e Shpejtë nuk është për kontrolle rutinore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë