Ndihma e Shpejtë nuk është për kontrolle rutinore

    Mjekët në Repartin e Ndihmës së Shpejtë vazhdojnë që të kërkojnë që Qendra urgjente dhe diagnostike në Spitalin Klinik të Tetovës të vihet në funksion edhe për kontrolle rutinore, sepse, aktualisht qytetarët zakonisht gjatë orëve të natës kur mjekët amë nuk u përgjigjen thirrjeve të tyre, drejtohen në repartin e Ndihmës së shpejtë. Por sipas mjekëve, puna kryesore e Ndihmës së shpejtë është që të intervenojë në ato raste kur thirren në terren. “Puna primare është që të shkojmë atje ku ka nevojë, në raste urgjente nëpër shtëpi, në raste të aksidenteve, në raste të ndryshme, pra gjithnjë në terren”, theksojnë mjekët. Por, në mungesë të Qendrës urgjente, mjekët kujdestarë japin shërbime mjekësore edhe pse këtë nuk e kanë obligim.

    “Reparti i Ndihmës së shpejtë jo vetëm tek ne, por çdo kund, punën e ka në terren. Qytetarët janë shumë pak të informuar në këtë aspekt, se puna e repartit të ndihmës së shpejtë është që të intervenojë në bazë të thirrjeve në terren. Kontrollet që i bëjmë nuk janë në kuadër të Ndihmës së Shpejtë dhe ato bëhen në mënyrë vullnetare prej ekipit që është në ndërrim kujdestarie për shkak të mungesës së Qendrës urgjente në qytetin tonë apo kujdestarisë urgjente” thotë Besnik Mustafai, mjek në Ndihmën e Shpejtë në Tetovë. Nëse do të kishte një Qendër urgjente në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës, puna e ndihmës së shpejtë do të ishte vetëm në rast të thirrjeve urgjente dhe kjo do të lehtësonte punën e tyre.

    “Do të ishte zgjidhje më e mirë edhe tek ne që sa më shpejtë të hapet një qendër urgjente që do të funksionojë 24 orë, dhe qytetarët do të shërbehen në mënyrë më të mirë dhe më të shpejtë. Por kjo do të ishte lehtësim edhe për vetë repartin e Ndihmës së shpejtë që vepron në terren dhe do të arrijë më shpejtë dhe do të jetë më i saktë për punën që e ka në terren” shprehet mjeku Mustafai. Mjekët shpresojnë që sa më parë të vihet në funksion Qendra urgjente në Tetovë. “Për fat të mirë objektin e urgjencës neve e kemi gati dhe shpresojmë që institucionet kompetente të ndërmarrin sa më parë hapa konkret që Qendra urgjente në Tetovë një ditë e më parë të vihet në funksion dhe të ulet fluksi i pacientëve që vijnë në repartin e Ndihmës së shpejtë dhe në repartin internistik” nënvizon mjeku Besnik Mustafai. Lidhur me mosvënien në funksion të Qendrës Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës, pyetje dërguam deri tek Ministria e Shëndetësisë, por prej atje nuk kanë dhënë asnjë sqarim se a është në plan që të vihet në funksion kjo qendër./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Gjimnazistët e Tetovës në orë mësimore “si mysafir”, nuk kanë libra dhe detyrohen të mësojnë nëpërmjet dispensave

    Lajmi i rradhës

    FFM njofton se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen Maqedoni-Gjermani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë