Gjithnjë e më pak të rinj në RMV

    Analizat e bëra nga “Regjistrimi i të rinjve dhe popullsisë” si dhe “Financimi i politikave rinore”, që u promovuan dje si pjesë e konferencës “Kushtet rinore dhe financimi i politikave rinore në RMV”, treguan se numri i tyre ndërmjet regjistrimit të vitit 2002 dhe atij të 2021 ka rënë për 6%. Sipas ligjit për zbatimin e politikave rinore 0.3% e buxhetit shtetëror si dhe 0.1% e buxhetit të çdo komune duhet të ndahet për të rinjtë, por kjo siç theksojnë hulumtuesit nuk ndodh në praktikë. Ata sugjerojnë që Agjencia për Rini dhe Sport e cila disponon me këtë buxhet të ndajë më shumë para për sportin sesa për politikën rinore.

    Për drejtoreshën e Fondacionit për Demokraci “Westminster”, Dona Kosturanova, buxheti për të rinjtë është i papërfillshëm në krahasim me buxhetin e ndarë për sport. “Në bazë të ligjit secila vetëqeverisje rinore lokale është dashur të formojë një këshill rinor lokal por nga gjithsej 81 vetëqeverisje lokale janë formuar vetëm gjashtë. Fatkeqësisht, të rinjtë vetëm në 8 komuna mund të shkojnë të vizitojnë një qendër rinore sepse në tjerat nuk ekzistojnë”, u shpreh Kosturanova duke shtuar më tej se beson se nëse duam t’i mbajmë të rinjtë në vend duhet tu ofrojmë mundësi dhe të ardhme, të investojmë në politikat rinore dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre. Sipas saj nëse i pyesim të rinjtë se çfarë duan zbulojmë se përveç punës cilësore, është e rëndësishme të përmirësojmë arsimin, infrastrukturën, kujdesin për mjedisin, sportin dhe rekreacionin.

    “Buxheti për të rinjtë, gjegjësisht mjetet që janë në dispozicion të Agjencisë për Rini dhe Sport që janë të destinuara për të rinjtë, nuk janë të destinuara për sport, apo është një pjesë shumë e vogël e shpenzimeve totale të agjencisë, prandaj besojmë se ato kapacitete duhet të forcohen. Një pjesë e organeve dhe shërbimeve për të rinj nuk ekzistojnë, nuk është miratuar strategji rinore, nuk funksionon asnjë organ këshillimor, nuk ka qendër kërkimore, dhe të gjitha këto janë shërbime që parashihen me ligj”, tha Katerina Shapkova autore e studimit “Financimi i politikave rinore”. Ajo më tej tha se beson se duhet që urgjentisht të ndryshohet mënyra se si një pjesë e re e komunave ndajnë 0. 1% të buxhetit të tyre për të rinjtë. “Një pjesë e arsyeve për këtë situatë është për shkak që ligji nuk përcakton afate në të cilat komunat duhet t’i përmbushin obligimet e tyre”, shtoi ajo.

    Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumce Mojsoski u shpreh se do të ketë ndryshime ligjore në Ligjin për rini dhe se është duke përgatitur një strategji nacionale në të cilën janë të përfshira të gjitha palët. “Shpresoj që kjo që po na ndodh me emigracionin me ndihmën tonë dhe të gjithë të rinjve të zvogëlohet”, tha ai. Sipas tij, buxheti prej 5% i cili është ndarë nga agjencia, prej kohës që ai është drejtor është rritur në 20% dhe do të vazhdoj të rritet. Ndërkaq, Petar Dardakoski i cili është edhe një nga autorët e analizës për të rinjtë dhe regjistrimin, thotë se kjo analizë tregon se Maqedonia e Veriut ka problem serioz kur bëhet fjalë për migrimin e të rinjve. Sipas tij, nëse e krahasojmë regjistrimin e vitit 2002 kur numri i përgjithshëm i të rinjve ishte 24% ndërsa në regjistrimin e fundit kjo shifër ka arritur në 18%, paraqet një rënie prej 6%. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    AKSIDENTET QË MARRIN JETË: Dënime të ulëta në raste tragjike

    Lajmi i rradhës

    Virusi i stomakut mbush ambulantet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë