Dihet se ku është vendi për të shitur, në treg dhe jo në bulevar. Me këto fjalë i pari i Shkupit, Orce Gjorgjievski paralajmëroi aksione të tjera periudhën që vjen për shitësit ambulant që frekuentojnë në afërsi të Bit Pazarit, e të cilët shesin mallin e tyre në tezga të improvizuara prej kartoni dhe uzurpojnë hapësirat publike për lëvizje të këmbësorëve. Aksionet e tilla megjithatë, nuk mjaftojnë dhe i trembin shitësit e përditshëm të kësaj zone të tërhiqen.
E njëjta vlen edhe për shitësit e ushqimeve kryesisht të moshuar të cilët dy herë në javë, të marteve dhe të premteve, shesin pemë e perime të cilat vet i kanë kultivuar.
“Sa i përket shitësve, ata kanë hapësira të lira në treg dhe dihet se ku duhet ta shesin mallin e tyre ose ushqimet që duan ti shesin, kemi disa tregje. Ne nuk veprojmë vetëm në Çair, veprojmë edhe në Kisella Vodë rreth tregut, në Qendër përreth tregjeve kështu që gjithkund do të veprojmë sepse rend duhet të ketë gjithandej në qytet. Tolerancë për dukuri të tilla së paku unë nuk respektoj dhe nuk do të toleroj të përsëritet në të ardhmen”, u shpreh i pari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Ditë më parë dhjetëra inspektorë e pjesëtarë të policisë, konfiskuan madje 500 kg ushqim nga shitësit ambulant në afërsi të Bit Pazarit por u shqiptuan edhe gjoba.
“Dihet se ku është vendi ku duhet të shitet. Nuk mundet dikush të shet në mes të bulevarit, në korsi të këmbësorëve e biçikletave. Patëm një aktivitet të përbashkët të Qytetit të Shkupit pra Inspektorati, AUV dhe MPB ndërsa aksione të tilla do të vazhdojnë edhe periudhën që vjen. Nëse dikujt i përshtatet të merr nga dhjetë gjoba për veprën të cilën e përsëritë kjo flet për karakterin e tij. Obligim i yni është të mbajmë rend”, shtoi Gjorgjievski.
Ndërkohë në Bit Pazar ka filluar rinovimi i tregut nga pjesa e Çarshisë. Tezgat një nga një po largohen ndërsa përreth rrugës do të ndërtohen dyqane të reja. Pjesa e brendshme do të lidhet me tezgat e tregut ndërsa mbi objektet do të zgjerohet parkimi për vetura./Alsat




