Gjykata Kushtetuese hapi dy lëndë për “Qytetin e Sigurt”: dyshime për zbatim selektiv

    Gjykata Kushtetuese ka ngritur dy lëndë pas iniciativave të paraqitura që kundërshtojnë ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet, në pjesën që lidhet me krijimin dhe funksionimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes së trafikut, i njohur në publik si projekti “Qyteti i Sigurt”, informoi gjykata, raporton Plusinfo.

    Iniciativa e parë e pranuar u paraqit nga deputetët Ziadin Sela, Ilire Dauti dhe Elmi Aziri. Paditësi i nismës së dytë është Ylli Paçuku.

    “Paditësit deklarojnë se e konsiderojnë të diskutueshme faktin që ky projekt u imponon një detyrim ligjor të gjithë qytetarëve që të kenë një numër personal telefoni, një adresë elektronike, në mënyrë që të komunikojnë dhe të jenë të disponueshëm në rast të një mesazhi të mundshëm shkeljeje. Përveç kësaj, pretendohet se është e diskutueshme që askund nuk përcaktohet që një mesazh telefonik ose komunikim elektronik duhet të jetë në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Gjithashtu thuhet se jo të gjithë qytetarët vendosen në të njëjtën pozitë, sepse sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, për të cilat pretendohet se popullsia shqiptare, e cila është në numër më të madh në këto territore, ndryshe nga qytetet e tjera në vend, vihet “nën thjerrëz”, informoi Gjykata Kushtetuese.

    Deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të fillojë të zbatohet nga 1 shkurti në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.

    Krahas tre qyteteve, pajisjet për “Qytetin e Sigurt“ janë vendosur dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të implementohen edhe në korridoret 8 dhe 10.

    Ka paralajmërime se sistemi do të zgjerohet edhe në qytete tjera, megjithatë nuk ka ende detaje konkrete.

    Lajmi Paraprak

    Wadephul: europa do të vazhdojë të varet gjatë nga mbrojtja

    Lajmi i rradhës

    MË PAK GAZ E NAFTË, MË SHUMË QYMYR! | Kah po shkon energjia në vend?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë