GREVË NË “UJËSJELLËS DHE KANALIZIM” | Punojnë në -10 gradë në Sharr, rrogat ua vonojnë për 10 vite dhe punëtorët janë pa sigurim shëndetësor

    Të punësuarit nga seksioni “Ujësjellës dhe kanalizim“ pranë “NPK Тetovë”, sot në mëngjes janë futur në grevë të përgjithshme, të cilët thonë, se nga përgjegjësit disa herë kanë marrë premtime se do t’ua paguajnë rrogat e mbetura, njofton SP, përcjell Nistori.

    Të punësuarit që janë me kontratë pune nuk kanë marrë tri paga e gjysmë, ndërsa ata me konkurs dy muaj e gjysmë. Vonesa e pagesave është një problem i vjetër një dekadëshe dhe për këtë periudhë sigurimi shëndetësor u është paguar vetëm disa ditë në muaj.

    “Sigurim kemi 5 ditë në fund të muajit. Ne nuk do të dalim në terren përderisa nuk i marrim pagat tona, nuk kërkojmë të rriten, nuk kërkojmë shtesë nga ajo që nuk mund të realizohet, por e kërkojmë atë që është. Mjaft më me mashtrime, do të ketë këtë muaj, do të ketë atë muaj. Zoti na ka ndihmuar pa sigurim shëndetësor, dhjetë vjet pa sigurim. Mos dhashtë Zoti të ndodhë ndonjë problem i madh i ujësjellësit, e di dhe e kryetari, -10 gradë kemi punuar në Malin e Sharrit për këtë popull, për këtë qytet që të ketë ujë, shprehet i revoltuar punonjësi në seksionin e “Ujësjellës dhe kanalizim”.

    Grevën e përgjithshme e përkrahin të gjithë punëtorët e sektorit “Ujësjellës dhe kanalizime” pranë “NPK Tetovë”. Ka mbi 80 punonjës. Mëngjesin e sotëm kanë marrë premtimin se nga e marta do t’u paguhet një rrogë. Rrjeti i ujësjellësit të qytetit është i vjetër 70 vjeç, ka qindra defekte në vit, por edhe nëse ndodh një avari në ujësjellësin e ri në Malin Sharr, që është një dukuri e zakonshme në periudhën e dimrit, nuk do të dalin ta riparojnë, shprehen kategorik punonjësit.

    “Uji është burim strategjik dhe këta janë punëtorë strategjikë, ndaj nuk duhet të ketë probleme të tilla me vonesa në paga. Përveç kësaj, ne mezi e mirëmbajmë sistemin, përballemi me vështirësi të mëdha, nuk dalim në terren, madje edhe nëse shfaqet ndonjë defekt në ujësjellësin e ri, ne do të mbetemi në këtë qëndrim deri sa të përmbushen premtimet që kemi marrë, të cilat deri më tani i kemi marrë të panumërta nga autoritetet.” – shtoi një tjetër punonjës i sektorit.

    Nga menaxhmenti i sektorit “Ujësjellës dhe kanalizime” na thanë se punonjësit me kontrata do t’i marrin të gjitha pagat e mbetura nga buxheti i komunës, por aktualisht ka disa probleme teknike me llogarinë bankare të komunës.

    “Jemi në proces të pagesës së pagave, vendimi i Këshillit të Komunës së Tetovës për të paguar 25 milionë denarë për obligimet ndaj punëtorëve me kontratë pune, do të na lehtësojë në pjesën e pagesës së punëtorëve që janë me vendime. Jemi në drejtimin e duhur për zgjidhjen e këtij problemi dhe shpresojmë që brenda një muaji deri në dy ta zgjidhim atë problem. Kontratat paguhen gradualisht. Ju e dini se ne kemi problem me llogarinë bankare të komunës dhe kemi problem me thesarin, i cili nuk ka funksionuar për shkak të festave, dhe këtu është një problem i vogël, këto janë probleme institucionale – teknike, të cilat do të tejkalohen” tha Lulzim Shaqiri, shef i Seksionit “Ujësjellës dhe kanalizim”.

    Ai shtoi se me ndarjen e NPK Tetovë, proces ky që tashmë ka filluar dhe ka kaluar në seancën e Këshillit, do të zgjidhen problemet urgjente financiare të kompanisë. Do të ndahen dy subjekte juridike “Ujësjellës dhe kanalizime” dhe “Higjiena komunale”, ndërsa në kompaninë e vjetër “NPK” do të mbesin Departamenti për Varreza Ortodokse, “Parqe dhe gjelbërim” dhe “Tregu i qytetit”.

    “Menaxhimi i subjekteve të veçanta juridike do të jetë shumë më i thjeshtë dhe kështu menaxhimi financiar do të jetë më praktik”, tha Shaqiri.

    Ndryshe, punëtorët e seksionit “Higjiena komunale” pranë “NPK Tetovë” një muaj më parë në rrethin e NPK Tetovë janë shprehur të revoltuar për pagat e papaguara. Disa, siç thanë ata, nuk janë paguar për tre, disa për katër muaj, dhe për këtë janë pa sigurim shëndetësor.

    Një ditë pas protestës, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se komuna do t’i paguajë honoraret e papaguara për personat me kontratë. Siç theksoi ai, kjo do të jetë në përputhje me vendimin e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit në nëntor, kur u mor vendim me 400 mijë euro nga buxheti komunal për pagesën e honorarëve.

    Për punonjësit me orar të plotë, NPK Tetovë duhet të gjejë një mënyrë për të paguar pagat e papaguara, shtoi ai.

    Ndërkaq, kontraktorët e higjienës komunale kanë marrë vetëm një rrogë, ndërsa kolegët e tyre nga “Ujësjellës dhe kanalizime” do të kërkojnë pagat e tre muajve të fundit përmes grevave që filluan sot. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: Edhe fëmija më i vogël në RMV e di se çfarë duhet të bëjmë për BE-në

    Lajmi i rradhës

    Komiteti për Liritë Qytetare i Parlamentit Evropian voton pro liberalizmit të vizave për Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë