Harxhimet më të mëdha se paga mesatare

    Paga mesatare në vend arriti në 36.465 denarë. Për një vit apo në raport me muajin maj të vitit të kaluar paga mesatare është rritur për afër 5000 denarë. Mirëpo edhe kjo rritje është zvetënuar me një inflacion më të lartë se dhjetë për qind që i bie se paga ka humbur vlerën për më shumë se 3600 denarë, apo se rritja është afër 1400 denarë. Njëherësh edhe paga mesatare që rrallë kush e fiton në fund të muajit prej 36 mijë denarë, nuk mjafton për të mbuluar shportën sindikale minimale me vlerë prej afër 50 mijë denarë. Apo thënë ndryshe, 33 mijë denarë janë të nevojshme që të mbulohen harxhimet e ushqimit dhe banimit. Një familje prej katër anëtarësh në muajin maj i nevojiteshin 49.025 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale.

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë që për çdo muaj përgatit shportën e konsumit sindikal, thonë se më së shumti para në muajin maj, 19.532 denarë janë nevojitur për ushqim dhe pije, ndërsa 13.392 denarë janë nevojitur për mbulimin e shpenzimeve për banim. Nga shpenzimet tjera të cilat janë pjesë e shportës sindikale, 3.720 denarë nevojiten për transport, 3.196 denarë për higjienë, ndërsa 821 denarë janë shpenzuar për kujdes shëndetësor. “Shporta e përgjithshme e konsumit sindikal arrin në 44.047 denarë, ndërsa kur i shtohen 4.977 denarë për shpenzimet e jetesës, apo inflacioni, bëhet fjalë për 49.024 denarë”, thonë nga LSM.

    Gjithashtu edhe Indeksi i harxhimeve të jetesës që përllogarit statistika tregon se kjo kosto në muajin maj të këtij viti është më e shtrenjtë për 11.3 për qind në raport me të muajin maj të vitit të kaluar. Njëherësh edhe indeksi i çmimeve me pakicë shënon rritje në muajin maj 7.5 për qind karshi muajit maj të vitit të kaluar. Përskaj shtrenjtimit të jetesës në vend, edhe pagat vështirë po ndjekin garën me shtrenjtimit e mëdha. Ndër pagat më të ulëta që paguhen në vend janë ato në prodhimtarinë e veshmbathjes me 25 mijë denarë, dhe në prodhimtarinë e ushqimit me afër 29 mijë denarë.

    Ekonomistët thonë se çdo herë kur bëhet fjalë për pagat, duhet pasur parasysh se në plan të parë del rritja e pagës mesatare që po rritet dukshëm kohën e fundit. Mirëpo shtojnë se kur shikohet shpërndarja e pagave në profesione në sektorë të ndryshëm, vërehet se çmimet rriten më shpejt se pagat. “Në Maqedoni diku 60 deri 70 për qind e të ardhurave mujore janë larg pagës mesatare, ndërsa nuk është I vogël as numri I atyre që pranojnë pagën minimale”, shtojnë ekonomistët. Nga Konfederata e Sindikatave e kontestojnë rritjen e fundit prej 10 për qind të pagave. Nga atje shtojnë se dëmin më të madh nga marrëveshja do ta kenë të punësuarit në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia, si dhe policia dhe ushtria, pasi nuk kanë marrë harmonizimin e pagave me atë minimale për sivjet, andaj një pjesë e mirë e punonjësve kanë deri në 16 mijë paga, që është shumë larg pagës minimale të garantuar.

    Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, që është pjesë e Konfederatës së Sindikatave, thotë se përveç rritjes së paralajmëruar prej 10 për qind, kërkojnë edhe harmonizimin e pagave me pagën minimale. “Por unë nuk shoh ndonjë disponim të madh tek autoritetet në atë pjesë. Kjo verë do të jetë e nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave, ndërsa vjeshta ndoshta do të jetë edhe më e nxehtë, nëse nuk gjejmë marrëveshje të përbashkët”, thotë Nedelkov. Nga ana tjetër, nga Sindikata e Qendrës Klinike Shëndetësore në Shkup thonë se nëse deri në shtator nuk ka harmonizim dhe rritje graduale të pagave, do të ketë protesta. Për më tepër vlerësojnë se autoritetet duhet seriozisht të shqyrtojnë këto kërkesa, duke shtuar se në Drejtorinë për të Ardhura Publike fituan rritje prej 30 për qind, edhe pse nga Ministria e Punës kohë më parë ishin prononcuar se do të ketë harmonizim dhe jo rritje të pagave në këtë dikaster. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    10 gjërat që çdo nënë duhet të dijë përpara se të ketë një fëmijë të dytë

    Lajmi i rradhës

    VETINTEGRIM APO VETIZOLIM! Ngushtohen afatet për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë