Historianët ndërkombëtarë kërkojnë ndërprerjen e hetimeve ndaj Shkëlzen Gashit

    Një grup historianësh të njohur ndërkombëtarë kanë bërë thirrje publike që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të ndërpresë hetimet ndaj studiuesit dhe autorit Shkëlzen Gashi, duke paralajmëruar se procese të tilla rrezikojnë lirinë akademike dhe standardet demokratike, përcjell Nistori.

    Në një apel drejtuar opinionit publik dhe institucioneve në Kosovë, historianët shprehin shqetësimin e tyre për nisjen e hetimeve penale ndaj Gashit, pas një ekspozite që trajton krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Sipas tyre, rasti përbën një precedent shqetësues, pasi debati mbi përmbajtjen shkencore duhet të mbetet në fushën akademike dhe jo të trajtohet si çështje penale.

    Ata theksojnë se në një demokraci funksionale evropiane, kritika ndaj punimeve shkencore, përfshirë terminologjinë apo interpretimet historike, duhet të zgjidhet përmes debatit të hapur shkencor dhe jo përmes ndërhyrjes së drejtësisë penale.

    “Në demokracitë evropiane nuk është normale që cilësia e një pune shkencore të bëhet shkak për ndjekje penale,” thuhet në apel, duke shtuar se raste të tilla zakonisht ndodhin në shtete autoritare ose në sisteme demokratike të brishta.

    Historianët paralajmërojnë se hetime të tilla mund të dëmtojnë jo vetëm individin, por edhe kushtet për kërkim shkencor, lirinë akademike dhe kulturën e debatit në vend. Sipas tyre, edhe një rast i vetëm mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për marrëdhënien mes shkencës dhe institucioneve shtetërore.

    “Shqetësimi ynë nuk është i kufizuar vetëm te pasojat për autorin Shkëlzen Gashi. Shqetësimi ynë themelor ka të bëjë me dëmin që mund t’u shkaktohet kushteve strukturore hulumtuese për studiuesit, shtetit ligjor dhe kulturës së debatit demokratik në Kosovë. Ky apel nuk synon të bëjë një analizë të detajuar të përparësive apo dobësive shkencore të librit të Shkëlzen Gashit apo me cilësinë e teksteve të ekspozitës (të cilat, siç ndodh me shumicën e lexuesve, i njohim vetëm në fragmente përmes raportimeve mediatike). Megjithatë, në punën shkencore është krejtësisht normale që, së pari, terminologjia edhe e pjesëve të veçanta të një teksti të jenë të kritikueshme dhe, së dyti, që autori – në rastin ideal – të reflektojë mbi semantikën e vet si pasojë e kësaj kritike. Pikërisht siç duket se po ndodh në rastin konkret.”, thuhet në letër.

    Në këtë kontekst, ata i bëjnë thirrje Prokurorisë Speciale të Kosovës që vlerësimet mbi natyrën shkencore të një vepre t’i lihen komunitetit akademik dhe debatit të lirë, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të hetimeve ndaj ekspozitës dhe autorit të saj.

    Apeli është nënshkruar nga disa studiues të njohur evropianë, përfshirë Florian Bieber (Graz), Konrad Clewing (Regensburg), Krisztián Csaplár-Degovics (Budapest), Noel Malcolm (Oxford), Robert Pichler (Vjenë), Albert Ramaj (St. Gallen) dhe Oliver Jens Schmitt (Vjenë).

    Në fund, historianët u bëjnë thirrje institucioneve dhe opinionit publik në Kosovë që debatet historike, veçanërisht për temat e ndjeshme, të zhvillohen me maturi dhe pa polarizim politik, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë akademike si shtylla të demokracisë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kosova e vazhdon masën mbrojtëse për naftën teksa çmimi vazhdon të rritet

    Lajmi i rradhës

    UNHCR: mbi katër milionë njerëz në botë jetojnë pa shtetësi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë