Honoraret gjatë qeverisjes së Teuta Arifit në Tetovë, përplasin ashpër ekzekutivin dhe pushtetin lokal

    Pas publikimit të listës së mbi 800 personave që kanë marrë honorar nga ish drejtuesja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, bashkëpartiaku i saj, ministri i ekoknomisë Kreshnik Bekteshi kërkoi nga kreu aktual i Komunës që të ketë kujdes me publikimin e të dhënave personale.

    “Është me rëndësi të theksohet fakti që në mënyrë transparente dhe të hapur me siguri duhet të publikohen të gjitha të dhënat, por duke pasur kujdes edhe për të dhënat personale të qytetarëve”, tha Kreshnik Bekteshi – Ministër i ekonomisë.

    Bekteshi i kërkoi Kasamit t’i publikojë edhe kontratat e firmosura nga ai në janar, ndërsa tha se Kasami s’duhet të merret me të kaluarën, por të realizojë projektet e premtuara, pasi sipas Bekteshit, kreut aktual të Tetovës i ka përfunduar muaji i mjaltit.

    “…mendoj se është kryer më muaji i mjaltit dhe 100 ditëshi. Nuk duhet të merret shumë me atë se çfarë është bërë në të kaluarën, por të realizojë programin me të cilin e ka fituar besimin nga qytetarët e Komunës së Tetovës”, u shpreh Bekteshi.

    Kreu i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, tha se publikimi i borxhit dhe shkeljeve të tjera që i ka kryer Teuta Arifi është përgjegjësi e jo muaj mjalti.

    “Nëse për ju borxhi i bashkëpartiakes suaj prej 24 milion euro paraqet muaji mjalti, për ne paraqet problem serioz që kërkon zgjidhje serioze. Nëse për ju shuma prej 7 milion eurosh që janë në përmbarues shkaku i neglizhencës dhe keqpërdorimit të parasë së qytetarëve dhe që ka blloku funksionimin e institucionit paraqet muaj mjalti për ne paraqet papërgjegjshmëri ndaj taksapaguesve. Nëse për ju është në rregull pagesa e militantëve partiak përmes kontratave në vepër ndërsa të punësuarit e NPK nuk kanë pasur të paguar as sigurimin shëndetësor në kohën kur vendi përballet me krizë të pandemisë, paraqet muaj mjalti, për ne paraqet angazhim për zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, tha Durmishi.

    Publikimi i listës së 800 personave të cilët kanë marrë honorar nga Komuna e Tetovës, në kohën kur udhëhiqej nga Teuta Arifi shkaktoi reagime të shumta në opinion. Dyshohet se shumica e tyre kanë marrë honorarë deri në 30 mijë denarë edhepse nuk kanë qenë të angazhuar fare në punë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ana Andreeva përgjegjëse e re për shërbimet e komunikimit në Qeveri

    Lajmi i rradhës

    “Shtetësia”, ASh-ja kërcënon me bllokim të kuvendit nëse nuk ndryshon qasja e ASK-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë