Stojanovski: dezinformatat prekin të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve

    Qytetarët janë të vetëdijshëm se dezinformatat paraqesin një problem të madh në vend dhe mirë e kuptojnë natyrën e tyre, ndërsa për dezinformues më të mëdhenj i konsiderojnë politikanët dhe mediat, u theksua në prezantimin e sotëm të rezultateve të hulumtimit “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja ndaj proceseve demokratike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023”, shkruan AIM, përcjell Nistori.

    Hulumtimi i realizuar nga Fondacioni për internetin dhe shoqërinë “Metarmofozis”, ka për qëllim të konfirmojë shkallën e ekspozimit dhe ndikimit të dezinformatave ndaj qytetarëve në Maqedoninë e Veriut përmes kombinimit të analizave të karakteristikave të rrjedhës së dezinformatave me anketë të bërë në një mostër përfaqësuese në nivel kombëtar.

    Rezultatet treguan se qytetarët më së miri e kuptojnë natyrën e dezinformatave dhe qëllimet e përhapjes së tyre nëpër fushën mediatike. Madje 75 për qind e qytetarëve besojnë se dezinformatat nxisin shprehje të urrejtjes dhe ndarje në shoqëri, ndërsa 40 për qind besojnë se shteti nuk ka kapacitet të ballafaqohet me kërcënimet e dezinformatave dhe forma tjera të luftës speciale.

    “Qytetarët besojnë se dezinformatat, në masë të madhe i përhapin politikanët dhe gazetarët, përkatësisht mediumet. Madje 89 për qind besojnë se politikanët përhapin dezinformata, ndërsa sërish 85 për qind besojnë se dezinformata përhapin gazetarët, përkatësisht mediumet, këtu në rend të parë renditen rrjetet sociale dhe portalet e internetit”, sqaroi hulumtuesi Gjorgji Mitrevski.

    Filip Stojanovski, drejtori për partneritete dhe zhvillim të resurseve në Fondacionin “Metamorfozis”, theksoi se problemi me dezinformatat nuk konsiderohet vetëm si problem mediatik, por ai është një problem që e prek të gjithë shoqërinë.

    “Para së gjithash, ky është një problem i sigurisë. Ai i prek të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve. Një nga qëllimet e këtij hulumtimi ishte përcaktimi i shkallës së ekspozimit të bashkëqytetarëve tanë ndaj dezinformatave. Ne deshim ta mbulojmë problemin përmes nivelit të perceptimit të qytetarëve me ndihmën e anketës, por edhe të bëjmë një krahasim me rezultatet e anketave tjera, për të përcaktuar lidhshmëritë dhe për të ofruar propozime të caktuara për zgjidhje”, theksoi Stojanovski.

    Rezultatet duhet të na shërbejnë si material në procesin e krijimit të zgjidhjeve sistematike të cilat janë të domosdoshme për shoqërinë tonë, tha Filip Stojanovski.

    Hulumtimi i sivjetëm tregon se ka ndryshim të madh në qëndrimin e qytetarëve për informacionet e lidhura me ndryshimet klimatike. Nëse vitin e kaluar vetëm 24 për qind kanë besuar se ndryshimet klimatike nuk ekzistojnë, por janë menduar për ta kontrolluar ekonominë, këtë vit ajo përqindje është rritur në 36.

    Gjithsej 41 për qind e qytetarëve nuk e pranojnë si të vërtetë rrëfimin kundër vaksinës, sipas të cilit sëmundjet për të cilat janë vaksinuar nuk janë serioze dhe mund të kapërcehen me imunitet natyral, ndërsa 29 për qind besojnë në të vërtetën e këtij rrëfimi. Dyzet e nëntë për qind besojnë se vaksinimet e rregullta të fëmijëve janë të sigurta, ndërsa 37 për qind nuk kanë asnjë qëndrim për këtë çështje.

    Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet gjeopolitike të vendit, sipas të anketuarve, ndikim më pozitiv në vendin tonë kanë Serbia fqinje dhe Turqia. Sa i përket ndikimit të SHBA-së, vitin e kaluar 43 për qind e qytetarëve e kanë vlerësuar pozitivisht, ndërsa këtë vit 39 për qind e të anketuarve kanë një mendim të tillë. Për sa i përket ndikimit të Rusisë, këtë vit ka pasur një rënie të atyre që mendojnë se ky vend ka një ndikim pozitiv. Vitin e kaluar, 40 për qind e qytetarëve kanë menduar se vendi ka ndikim pozitiv, ndërsa 27 për qind se ka ndikim negativ. Këtë vit, 34 për qind janë ende të mendimit se Rusia ka një ndikim pozitiv, ndërsa 38 për qind besojnë se ndikimi është negativ. Sipas hulumtimit, ndikimin më negativ e ka Bullgaria, gjegjësisht 78 për qind e të anketuarve. Sa i përket ndikimit të Kinës, 40 për qind e qytetarëve nuk kanë një qëndrim të qartë.

    Studiuesit theksojnë se për të kapërcyer perceptimin e qytetarëve për dezinformimin, nevojitet një qasje sistematike për të ndërtuar një kulturë të mendimit kritik, rregullimin e hapësirës së internetit, ngritjen e nivelit të debatit publik për kontekstin gjeopolitik, për mënyrën e  përhapjes së dezinformatave. Organizata thekson se ndër të tjera është e nevojshme që krijuesit e opinionit publik të kenë parasysh se mungesa e informacionit dhe debati i qëndrueshëm publik çon në boshllëqe informacioni si dhe institucionet shtetërore dhe publike, kompanitë private dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të mbindërtojnë kodekset etike.

    Metodologjia e aplikuar mundëson krahasimin me rezultatet e hulumtimeve të mëparshme të të njëjtit lloj, duke përfshirë sondazhin plotësues të kryer nga “Metamorfozis” në vitin 2022, i cili ofron njohuri mbi tendencat si bazë për përcaktimin e prioriteteve, të përcjella edhe në formën e rekomandimeve, në drejtim të një qasjeje që përfshin të gjithë shoqërinë që kërkon zgjidhje për shkaqet strukturore të ndjeshmërisë ndaj dezinformatave.

    Lajmi Paraprak

    Aggeler: pres ta luftoni korrupsionin!

    Lajmi i rradhës

    Dilema e tregtarëve në veri: T’i paguajnë taksat a t’i mbyllin bizneset

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë