Maqedonia e Veriut me vite shënon humbje të mëdha të ujit. Niveli i humbjeve të ujit në secilin rajon të vendit është mjaft i lartë, ku mbi gjysma e ujit të prodhuar humb në rrjet si rrjedhojë e infrastrukturës së keqe dhe mungesës së investimeve të ndërmarrjeve publike.
Raporti i auditimit llogarit se më shumë se 10 milionë euro gropë shkaktohen nga humbja e ujit në buxhetin e shtetit.
Dokumentet e revizorit thonë se 140 milionë metër kub ujë humbin përmes sistemit në vit, që është dyfishi i mesatares botërore prej 30%.
Gjithashtu analiza e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se mos arkëtimi apo mospagesa e ujit është një nga shkaqet e punës jo të suksesshme të më shumë ndërmarrjeve komunale në vend.
Nën termin “ujë pa të ardhura”, nënkuptohen të gjitha humbjet e ujit që shfaqen si pasojë e rrënimit të tubacioneve të ujit dhe infrastrukturës tjetër nëpër të cilën rrjedh uji, lidhjet e egra në sistemet e ujit, pasaktësia e matësve të ujit dhe gabimet në trajtimin e të dhënave nga kompanitë publike. Nën këtë përqindje përfshihet edhe konsumi i ligjshëm, por i pafaturuar i ujit të pijshëm, ku përfshihet ujitja e hapësirave publike (gjelbërim, rrugë), uji për funksionimin e shatërvanëve, tualeteve publike dhe përdorime të ngjashme, ku përdoret uji i pijshëm në vend të ujit teknik.
Thënë ndryshe, gypat e sistemeve të ujit në vend kanë probleme me vjetërsinë e gypave, ku mos investimi në zëvendësimin e tyre po shkakton probleme. Por problemet shkaktohen edhe për shkak të keqpërdorimeve nga kyçjet e paligjshme, ku ndodh që uji i pijshëm keqpërdoret për nevoja të tjera si lavazhe veturash në toka bujqësore, kopshte, rrugë… Sipas analizave të Komisionit Rregullator për Energjetikë në disa rajone humbjet arrijnë edhe 73 për qind, ndërsa nga ky institucion kërkojnë kompetenca të plota në sektorin e ujit si një nga sektorët më vulnerabël apo të prekshëm nga pasojat e ndryshimeve klimatike.
Numri një i Komisionit Rregullator, Marko Bislimovski thotë se është i nevojshëm një cikël i vazhdueshëm investimi në infrastrukturë, si dhe optimizimi i numrit të punonjësve në ndërmarrjet publike, ndërsa në të njëjtën kohë, shton ai, është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e kompanive dhe në të njëjtën kohë të jetë i disponueshëm dhe i pranueshëm për përdoruesit e fundit.
Ne e shohim një zgjidhje si rregullatorë duke marrë autoritetin e plotë në formimin e çmimit përfundimtar. Pra, është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e ndërmarrjeve, që ai të jetë i disponueshëm dhe i pranueshëm për shfrytëzuesit e fundit, dhe se rregullatori merr përgjegjësinë e plotë në formimin e çmimit përfundimtar.
Nga KRRE shtojnë se me vite insistojnë që të marrin plotësisht përgjegjësinë për vendosjen e tarifave realiste dhe nxitëse për investime. Me burimet natyrore, si uji, nuk duhet të lejohen lojëra alibish. Në këtë moment, RKE përcakton vetëm një varg tarifash – nga minimumi në maksimum, dhe këshillat e pushtetit vendor zakonisht vendosin për çmimin më të ulët, pra një tarifë që siguron një prag minimal përfitueshmërie me investime të vogla, ndërkohë që rrjeti nuk rinovohet. dhe punësimet rriten.
Nga OJQ ” Eko Svest thonë se thotë se nevojitet mbrojtje urgjente e ujërave në vend, aq më tepër që rajoni është i prekur fuqishëm nga pasojat e ndryshimeve klimatike. “Në këto kushte, sektori i ujit shënohet si sektori më i cenueshëm nga pasojat e ndryshimeve klimatike në vend dhe aty ku duhet të zbatohen masat e duhura për mbrojtjen e ujit. Mirëpo, ende nuk kemi ligj të ri për ujërat që parasheh kornizë të përshtatshme ligjore për mbrojtjen e ujit dhe qytetarët nuk e shohin ujin e pijshëm si resurs të çmuar në kushtet e rritjes së temperaturave”, thonë nga “Eko Svest”.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror, kriza e ujit është një nga rreziqet më të mëdha në nivel global. Ende nuk ka krizë uji në Maqedoni, por humbjet janë të mëdha dhe banorët shpenzojnë shumë më tepër se mesatarja në Evropë. Shkencëtarët thonë se kursimi nuk nënkupton vetëm uljen e faturave. Sipas vlerësimeve të Forumit Ekonomik Botëror, pesë nga dhjetë rreziqet më të mëdha që lidhen me ndikimet globale janë në kategorinë mjedisore.
Armët e shkatërrimit në masë vlerësohen si rreziku më i madh, por lart në vendin e katërt në listën e rreziqeve globale është kriza e ujit, pas dështimit për të zbutur dhe përshtatur ndryshimet klimatike, kushtet ekstreme të motit dhe fatkeqësitë natyrore.
Përvojat botërore thonë ekspertët, tregojnë se investimi në objektet e reja të ujësjellësit që do të ofrojnë 1 litër në sekondë ujë të pijshëm është 10 deri në 40 herë më i lartë krahasuar me reduktimin e humbjeve ekzistuese të ujit në sistemet e ujësjellësit me 1 litër në sekondë. Zvogëlimi i humbjeve të ujit të pijshëm në vetë ujësjellësit është mënyra më e lirë dhe më racionale për marrjen e sasive të reja të ujit, pa pasur nevojë të bëhen investime të mëdha konstatojnë njohësit e kësaj lëmie. Në raportin e fundit të Komisionit Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit, theksohet se uji që nuk sjell të ardhura po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në aspektin e mbrojtjes së burimeve natyrore, ndërsa ndërmarrjet po përballen me humbje të mëdha të ujit.
Gjithashtu shifrat tregojnë se deri tani “shpërdoruesi” më i madh i ujit është rajoni Jugperëndimor, ku humbjet e ujit arrijnë në 72.91 për qind. Menjëherë pas tij është rajoni i Pollogut, ku humbjet arrijnë në 70.16 për qind. Ndër tre rajonet kryesore me humbjet më të mëdha është rajoni lindor me 64.90 për qind humbje. Më pas vijon rajoni i Shkupit me 60.46 për qind, pastaj ai i Pellagonisë me 60.19 për qind.
Nga ana tjetër analiza e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se mos arkëtimi apo mos pagesa e ujit është një nga shkaqet e punës jo të suksesshme të më shumë ndërmarrjeve komunale në vend.
Përqindja e ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura edhe në vitin 2021 mbetet një nga parametrat kryesor përmes të çilit vlerësohet suksesi i punës së ofruesve të shërbimeve të ujit dhe i njëjti lëviz midis 14 për qind dhe 92 për qind në varësi prej ofruesit të shërbimeve të ujit. Në bazë të të dhënave të fundit të disponueshme, përqindja e ujit për të cilin nuk arkëtohen të ardhura në Maqedoninë e Veriut arrin 60.46 për qind. “Në vitin 2021 në raport me vitin 2020, sasia e ujit që hyn në sistemet për furnizimin me ujë, shënon ulje prej 6.96 për qind, ndërsa përqindja e ujit të faturuar është rritur nga 38.06 për qind në vitin 2020, në 39.54 për qind në vitin 2021”, tregojnë analizat e Entit Rregullator për Energjetikë.
Ndryshe, në Maqedoni prodhohen 456 litra ujë për frymë në vit, nga të cilat rreth 45 për qind ose 212 litra u dërgohen/faturohen përdoruesve. Një amvisëri në Maqedoni konsumon mesatarisht 156 litra ujë, që është mbi mesataren prej 123 litrash në Evropë.
Vetëm Shkupi, ku sipas Censusit të fundit të vitit 2021, jeton 28 për qind e popullsisë së përgjithshme në vend, konsumon 500 litra ujë për person ose mbi 100 pishina olimpike me ujë në ditë. Prej tyre rreth 60 për qind janë humbje dhe rreth 212 litra janë të faturuara. Në Evropë, italianët konsumojnë më shumë ujë, pra 223 litra për person në ditë, ndërsa konsumin më të ulët e kanë Malta, ku konsumojnë vetëm 77 litra për person në ditë. /Koha/