Fshatrat e Mavrovës janë boshatisur në kërkim të një jete më të mirë

    Fotografia: Emir H

    Dikur numëronte rreth 1650 banorë, ndërsa sot, kanë mbetur vetëm 300. Pothuajse të gjithë banorët e fshatit Velebërdo të Mavrovës kanë migruar në shtetet e perëndimit.

    Situatë e ngjashme është gati në të gjitha fshatrat, janë boshatisur në kërkim të një jete më të mirë.

    “Tetëdhjetë për qind kanë ikur, vetëm pensionistët kemi mbetur këtu. Gjitha familjen e kemi në perëndim, në gjermani gjithë, këtu më shumë flitet gjermanisht a e dini këtë”.

    “Ja na shih, tre persona gjithë jemi, dolëm nga shtëpia nuk pamë njeri për rrugë”.

    “Dy vitet e fundit, në këtë fshat, nuk ka pasur nxënës për tu regjistruar në klasë të parë. Ndërsa numri total i nxënësve që mësojnë nga klasa e parë deri në të katërtën, është vetëm 13. Kanë mbetur vetëm pensionistët, por siç do dëgjoni më tej, edhe ata po përgatiten të largohen nga ky vend”.

    Të njëjtin hall e ka edhe fshati i Rostushës, ku është e vendosur edhe komuna e Mavrovës. Të rinj pothuajse nuk ka, ndërsa ata pak të moshuar që kanë mbetur, duke mos mundur t`i bëjnë ballë vetmisë, përgatiten të migrojnë tek fëmijët e tyre.

    “Jo vetëm të rinjtë, edhe të moshuarit po ikin me të madhe. Ja unë kam mbetur vetë në shtëpi. Kam dy djem vajzën nipa, edhe gruaja iku me to. Dua nuk dua s`kam çka të bëj do iki edhe unë, po bëj gati dokumentet do shkoj, çka do bëj vetë. Çdo ditë situata ndryshon, para një jave u ktheva nga Italia, shoh ca të rinj pesë gjashtë persona nuk janë më kanë ikur”.

    “I kam fëmijët, gjithë janë jashtë, s`kemi këtu fëmijë mbetëm vetëm pleqtë, nga dy veta në shtëpi. Gjithëve që iu jepet mundësia edhe nga pleqtë, ikin, të paktën dy tre muaj sa ta shfrytëzojnë pak”.

    Shkolla fillore qendrore e Rostushës, në të cilën mësojnë nxënës të pesë fshatrave, ka mbet me 90 për qind më pak nxënës thotë drejtori i saj. Dy fshatra për të dytin vit, nuk kanë regjistruar asnjë fëmijë në klasë të parë.

    “Ka pasur rreth 1500 nxënës para ca dekadash, sot kemi 181 nxënës, nga pesë fshatra, 90 për qind është zvogëluar numri dhe ka indikacionin ende të zvogëlohet ky numër. S`kemi të rinj këtu, në shkollën tonë kuadri që kishim me akademi pedagogjike na kanë ikur, na vijnë mësues nga Gostivari. Ne bëjmë analizë me shërbimet tona, për pesë vite do punojë nga gjitha fshatrat për rreth vetëm shkolla jonë, me gjithsej 50 – 60 nxënës që nënkupton lëshim nga puna edhe i gjysmës së kuadrit”, u shpreh Adem Sulemanovski. Drejtor i Sh. F. “Hajan Selmani” – Rostushë.

    Fatin e këtillë, e kanë edhe shkollat e fshatrave për rreth Rostushës, ndërsa shtëpitë e reja në fshatra, gjithnjë e më shumë po mbyllin dyert dhe marrin rrugën e mërgimit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    500 mijë euro shpërblim nëse Përfaqësuesja e Maqedonisë kualifikohet në botëror

    Lajmi i rradhës

    Komunat dhe ndërmarrjet shtetërore kanë mbi 600 milionë euro borxh, do të miratohet ligj për inspektim financiar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë