“Iliria” në Tetovë ende pa përfunduar

    Foto: Ramadan Abdiu

    Deri më tani janë vendosur rreth 100 ulëse, disa shporta për mbeturina dhe konstruksione për biçikleta

    Edhe pse punimet kishin filluar para katër vitesh për rregullimin e trotuarit në Bulevardin “Iliria” në Tetovë, megjithatë ende nuk ka përfunduar. Para katër vitesh ishte premtuar vendosja e pajisjeve urbane, ulëseve, shportave për mbeturina, vendparkimeve për biçikleta, vendosja e shtyllave të ndriçimit publik, si dhe rregullimi i pajisjeve të gjelbërta dekoruese. Por, edhe sot e kësaj dite, ky projekt nuk është përfunduar. Gjatë realizimit të këtij projekti disa herë është hasur në ndërperje të punëve, kryesisht sipas komunës sepse kompanitë kontraktuese nuk u janë përmbajtur afateve të realizimit, kurse sipas kompanive, për shkak të mos pagesës në kohë. Nga komuna e Tetovës theksojnë se punët do të vazhdojnë pas 15 gushtit.

    “Aktualisht punët janë ndërprerë për shkak të temperaturave të larta dhe lëvizjes së madhe të qytetarëve në këtë periudhë. Pas stablizimit të motit dhe zvogëlimit të frekuentimit të lëvizjes së qytetarëve do të vijohet me punë”, thonë nga komuna e Tetovës. Para dy muajve kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, kishte thënë se ky projekt do të përfundojë shumë shpejtë. “Sa i përket bulevardit “Iliria” është në mënyrë të koordinuar vazhdimi i punëve me vendosjen e ulësve dhe ndriçimin, tani ka tempon e vet, mund të jetë ngadalë-shpejtë, por është në vijim e sipër”, kishte deklaruar Arifi. Edhe gjatë muajit maj të këtij viti kryetarja e komunës së Tetovës kishte premtuar se ky projekt më në fund do të përfundojë por këtyre ditëve sërish punët janë ndërprerë. Rregullimi i pjesës qendrore në Tetovë nga ana e Teuta Arifit ishte premtuar që në vitin 2017, por që atëherë e këndej ishte punuar me shumë ndërprerje.

    “Gjithsej do bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15.000 metra katrorë, ku përveç shtigjeve dhe hapësirave të ngritura për gjelbrim do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 fontanave me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e drunjëve, 22 shporta për mbeturina, 32 kontruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët”, kishte premtuar Arifi në vitin 2017. Deri më tani janë vendosur rreth 100 ulëse, disa shporta për mbeturina dhe konstruksione për biçikleta. Projekti për rregullimin e trortuareve në të dy anët e bulevardit kryesor në Tetovë edhe gjatë realizimit kishte pësuar shumë ndryshime dhe procese gjyqësore mes kompanisë kontratktuese dhe komunës së Tetovës. Afatet kësaj radhe janë se brenda gjashtë muajve duhet që punët të kryhen, por sa do të mbahet ky premtim mbetet të shihet./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Personat me aftësi të kufizuara protestojnë për një jetë dinjitoze

    Lajmi i rradhës

    Në Tetovë u bë dasmë edhe pse dhëndri, nusja dhe gjithë familja ishin të infektuar me Covid-19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë