Institucionet në RMV heshtin ndaj kritikave për korrupsion e nepotizëm

    Njohësit e çështjeve juridike në Maqedoninë e Veriut, Dane Iliev dhe Bashkim Selmani, thonë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimi i vendit në aspektin e sundimit të ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve është peng i dukurive negative, për çka kritika kishte edhe nga ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes.

    Derisa drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut nuk kanë komentuar kritikat e diplomates amerikane, ekspertët Iliev dhe Selmani thonë se janë të qëndrueshme vlerësimet që dha ambasadorja Byrnes, më 30 gusht, se në këtë vend ka nepotizëm, korrupsion dhe institucione joefikase, të cilave u mungon llogaridhënia dhe transparenca.

    “Ne e dimë se një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni, i cili minon qeverisjen e mirë dhe saboton konkurrencën ekonomike… Mungon përgjegjësia, transparenca, ka nepotizëm dhe mosfunksionim institucional… Zyrtarët e qeverisë duhet t’u përgjigjen këtyre sfidave”, kishte deklaruar ambasadorja amerikane, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Ministrinë e Financave për një grant prej 10 milionë dollarësh.

    Dane Iliev, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, thotë se reagimet e këtilla të ndërkombëtarëve duhet t’i ndërgjegjësojnë institucionet që ta kuptojnë se kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve për shtet ligjor dhe funksional.

    “Ne kemi vetëm fjalë të mëdha se po bëjmë reforma dhe nga kjo s’ka asgjë. Vlerësimi i ambasadores është shumë me vend. Këtë tashmë e dinë edhe qytetarët se gjërat kanë ngecur dhe se s’ka asnjë përparim. Institucionet kanë humbur legjitimitetin për shkak të rritjes së korrupsionit në radhët e drejtuesve të institucioneve”, thotë Iliev.

    Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin juridik në Universitetin e Tetovës, thotë se problem më shqetësues paraqet nepotizmi, që, sipas tij, ka përfshirë gjitha institucionet në Maqedoninë e Veriut.

    “Krerët e institucioneve, ministrat, drejtorët mbi 22 për qind të të punësuarve i kanë anëtarë të familjeve të tyre. Si mund të funksionojë një institucion në rrethana të tilla? Janë jofunksionale. Si do ta denoncojnë ata nepotizmin kur pjesa dërrmuese e tyre funksionojnë në nepotizëm”, thotë Selmani.

    Sipas një hulumtimi të bërë nga Radion Evropa e Lirë, vetëm në Agjencinë për Komunikime Elektronike, një institucion shtetëror, thuajse të gjithë 150 të punësuarit janë në lidhje familjare, apo partiake të qeverisë aktuale, por edhe të atyre nga e kaluara.

    Dane Iliev, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, thotë se dukuritë e këtilla nuk do të mund të luftohen pa ndryshimin e tërësishëm të sistemit të drejtësisë.

    “Duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë pasi sistemi prodhon korrupsionin. Me një pushtet gjyqësor që nxit korrupsionin, nuk mund të flitet për rezultate. Kritikat që vijnë nga SHBA-ja tregojnë se lufta kundër korrupsionit do të jetë shumë e vështirë dhe e gjatë pasi kërkon masa adekuate me njerëz adekuatë. Gjithandej ku ka korrupsion duhet të ketë ndryshime duke filluar prej drejtuesve të tyre”, thotë Iliev.

    Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë se kritikat e ambasadores amerikane janë adresuar më parë edhe nga institucionet evropiane.

    Sipas tij, pas zgjidhjes së kontesteve që kishte vendi me Greqinë dhe Bullgarinë, tani fokusi do të jetë në pritjet për luftimin e dukurive negative, por ai nuk beson se këtë do të mund ta bëjnë institucionet vendore.

    “Këto janë ato institucione që jo vetëm nuk kanë luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në kohën dhe momentin e duhur, por këto institucione janë ato që bëjnë veprime të tilla. Këtë njerëz apo individë duke filluar në të gjitha institucionet nuk kanë aftësi institucionale për t’u përballur me to. Pra, ne flasim për krimin dhe korrupsionin dhe shohim se shumë pak lëndë gjyqësore që janë iniciuar ose që kanë marrë epilog gjyqësor. Për luftimin e këtyre dukurive do të duhej një trup i veçantë institucional, ashtu siç e luftoi BE-ja krimin e organizuar dhe korrupsionin në Bullgari, Rumani dhe vende tjera pasi nuk kemi shpresa se kjo mund të luftohen nga vetë ne”, vlerëson Selmani.

    Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut vlerëson se korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha dhe mbetet shqetësues.

    Sipas raportit të Transparency International për vitin 2021, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 111-të nga 180 vende në botë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria dhe KShZ-ja humbën në në gjykatë nga një grup qytetarësh me nevoja të veçanta fizike, nuk iu mundësua të votojnë në zgjedhjet e fundit

    Lajmi i rradhës

    “Rënia më e madhe dhe e shpejtë e cilësisë së arsimit të lartë është shkaktuar nga shpërndarja e pakontrolluar”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë