Qeveria dhe KShZ-ja humbën në në gjykatë nga një grup qytetarësh me nevoja të veçanta fizike, nuk iu mundësua të votojnë në zgjedhjet e fundit

    Qeveria dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) humbën në gjykatë nga një grup qytetarësh me aftësi të kufizuara fizike me të drejtë vote, të cilëve nuk iu mundësua të votojnë as në zgjedhjet e fundit. Grupi me ndihmën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, i paditi Qeverinë dhe KShZ-në, ndërsa Gjykata Civile Shkup konstatoi se të pandehurit kanë bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuar gjatë realizimi të së drejtës së tyre për të votuar. I kanë diskriminuar ashtu që shumë personave në karroca invalidore, me mjete të tjera ndihmëse për lëvizje, pastaj personave të verbër dhe personave me lloje të tjera të pengesa fizike dhe mendore, nuk u kanë mundësuar qasje dhe kushte për të votuar, me ç’rast i kanë privuar nga kjo e drejtë e garantuar me Kushtetutë, shkruan sdk.mk

    Gjykata i urdhëroi Qeverinë dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në format qasëse, ta publikojnë në media dispozitivin e aktvendimit me të cilin konstatohet se kanë kryer diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuar gjatë realizimit të së drejtës së tyre të votës dhe pjesëmarrje aktive në jetën politike, në afat prej 15 ditësh pas aktit të plotfuqishëm të aktvendimit.

    “Gjykata Themelore Civile Shkup konstatoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë kryer diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar. Gjykata ka konstatuar se diskriminimi i drejtpërdrejtë është kryer duke mos ndërmarrë, gjegjësisht duke dështuar të ndërmarrin veprime për përshtatjen e infrastrukturës dhe hapësirës deri te qendrat e votimit, kurse në një pjesë të tyre e kanë shkelur edhe parimin e përshtatjes së duhur. Në atë mënyrë të pandehurit ua kanë pamundësuar personave me aftësi të kufizuara të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe ashtu e kanë penguar pjesëmarrjen aktive të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike të shtetit”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

    Kryesorja është se Gjykata obligoi Qeverinë dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme, në vendvotimet ku kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, të sigurojnë:

    – qasje, rrugë të sheshta, hapësira të parkimit të shënuara siç duhet me ngjyra me kontrast të lartë, të vendosin tabela dhe numra në vend të dukshëm në format më të madh me kontrast të lartë ose sinjalizim zanor në qendrat e votimit;

    – qasje deri te dhoma e votimit duke vendosur parmakë përgjatë shkallëve dhe mureve, duke instaluar rampa hyrëse, binare manuale, hyrje më të gjera, ashensor deri te i cili do të ketë qasje ose platforma të niveluara dhe me shkallë;

    – mundësia për qasje në dhomën e votimit, ndriçimi i barabartë i saj, rishpërndarja e mobileve për të krijuar mundësi më të madhe lëvizjeje; vendosjen e ekraneve të votimit të përshtatura siç duhet dhe vendosjen e kutisë së votimit në lartësi të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara fizike.

    Gjykata Themelore Civile e ka marrë këtë vendim pasi Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përmes avokates Pavlina Zefiq, më 1 shkurt 2021, ka paraqitur padi për mbrojtje nga diskriminimi në interes të publikut (actio popularis). Procedura është realizuar në kuadër të projektit “Mbështetje për Maqedoninë e Veriut në avancimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, të cilin Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e ka zbatuar në vitin 2020 me mbështetjen financiare të Misionit të OSBE-së në Shkup.

    Disa nga shkeljet e konstatuara në padi, të konstatuara pas hulumtimeve dhe kontrolleve të kryera, tregojnë se disa nga qendrat e votimit nuk kanë hapësirë ​​parkimi, vetëm një pjesë e vogël e atyre qendrave të votimit me parkim në dispozicion kanë shenjë për personat me aftësi të kufizuar, një numër i vogël objektesh kanë shenjë universale për qasje dhe rampë për qasje, shumica e qendrave të votimit nuk kanë shkallë për të arritur në dhomën e votimit dhe shumica e objekteve nuk kanë ashensor.

    Më tej, gjykata ka kontrolluar dhe konstatuar se personat me aftësi të kufizuara nuk kanë akses deri te informacionet për debatet politike, fushatat dhe ngjarjet.

    Gjëja më e tmerrshme është se KSHZ-ja i trajton personat me aftësi të kufizuara si të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe në këtë kategorizim i përfshin personat me aftësi të kufizuara shqisore. Në këtë kontekst, i kufizon edhe personat me aftësi të kufizuara intelektuale dhe psikosociale për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, aktive dhe pasive. Nuk ka materiale dhe informacione opsionale në formë të aksesueshme për të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Thjesht, këta qytetarë të rritur duket se nuk ekzistojnë për zgjedhje.

    Gjykata ka konstatuar se personat me aftësi të kufizuar nuk duhet të barazohen me personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të cilët për shkak të gjendjes së shëndetit të dëmtuar nuk kanë mundësi të hyjnë fizikisht në vendvotim dhe për atë arsye mund të votojnë në shtëpi.

    Qeveria dhe KSHZ-ja, në anën e së cilës ishte barra e provës, sipas Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, nuk propozuan kurrfarë provash për t’u mbrojtur. Ata kanë qëndruar pasivë, sepse asgjë nuk kanë bërë që nga viti 2019, kur shoqatat kanë dhënë rekomandime për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar qasje deri në vendvotimet.

    “Madje, Gjykata thekson se në një shoqëri demokratike është e nevojshme të mbrohet e drejta e votës e personave me aftësi të kufizuar, të mundohet pasja dhe realizimi i kësaj të drejte dhe se aftësimet e nevojshme në vendvotime me sigurim të qasjes deri dhe në objektet për votim në pajtueshmëri të nevojave të personave me aftësi të kufizuar, nuk paraqet ngarkesë joproporcionale ose e panevojshme”, potencojnë nga Komiteti i Helsinkit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në arsimin para shkollorë, të punësuarit vazhdojnë të kenë në përdorim dy ditarë atë elektronik dhe klasik

    Lajmi i rradhës

    Institucionet në RMV heshtin ndaj kritikave për korrupsion e nepotizëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë