Në Maqedoninë e Veriut ka 3583 vdekje në vit për shkak të ekspozimit ndaj cilësisë aktuale të ajrit (llogaritjet i referohen periudhës 2020-2022), që përfaqëson 16,1% të vdekshmërisë totale, thuhet në raportin e ri të Institutit për Shëndet Publik (IShP), përcjell Nistori.
“Ajo që duhet theksuar është fakti se vlerësimet në këtë periudhë raportuese (2020-2022) nuk janë të krahasueshme me vitet e mëparshme për shkak të efekteve dhe shfaqjes së pandemisë Covid-19. Kjo vlen veçanërisht për vitin 2021, kur u regjistrua shkalla më e lartë e vdekjeve”, thuhet në raport.
Sipas Institutit, ndikimet shëndetësore dhe barra e sëmundjeve për shkak të ndotjes së ajrit me grimca të pezulluara në Maqedoni, duke përfshirë humbjet ekonomike dhe kostot që lidhen me vdekshmërinë e parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit, janë të konsiderueshme.
“Tejkalimi i vlerës kufi të përditësuar të Direktivës së BE-së për Cilësinë e Ajrit të Ambientit prej 10 µg/m3 i atribuohet 10.9% të vdekshmërisë totale (5.4% nëse llogaritet kundrejt vlerës kufi treguese prej 20 µg/m3). Tejkalimet e vlerës së re të udhëzimeve të OBSH-së i atribuohen 13.6% të vdekshmërisë totale. Barra e sëmundjes, siç pritej, rritet ndjeshëm te grupmoshat 65 vjeç e lart për sa i përket vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, por edhe vdekshmërisë specifike për shkak të sëmundjeve ishemike të zemrës dhe goditjes në tru, me efektin më të madh në grupmoshën 75-79 vjeç. Takalimi aktual i vlerës kufitare prej 10,0 µg/m3 PM2,5 çon në 88 vdekje për shkak të kancerit të mushkërive, që është 10,7% e vdekshmërisë totale për shkak të kësaj sëmundjeje malinje”, thuhet në raport.
Humbjet dhe kostot ekonomike të vlerësuara, sipas Bankës Botërore (BB), arrijnë në 5.2% deri në 8.5% të produktit kombëtar bruto në vitin 2016. Nga atje arritja e vlerës nga standardet e BE-së dhe Udhëzimet e OBSH-së për grimcat e imëta (PM2.5) në ajrin e ambientit, në BE-27 do të sillte përfitime të konsiderueshme potenciale, është konstatimi i BB, por e njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. IShP thotë se ajo që duhet mbajtur gjithmonë parasysh është se kjo vdekshmëri e atribuar (si e përgjithshme ashtu edhe specifike) është shumë e parandalueshme. /Nistori/