IShP: 30% e fëmijëve në RMV të moshës 6-9 vjeç janë mbipeshë

    Në vendin tonë mbi 30 për qind e fëmijëve të moshës 6 deri 9 vjeç janë mbipeshë, ndërsa 13,8 përqind e tyre janë ekstremisht obezë.

    Kështu thonë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, të publikuara në Ditën Botërore të Obezitetit.

    Këto të dhëna thonë se mbi 28,4 për qind e të rriturve në Maqedoninë e Veriut janë obezë, apo rreth 13 për qind më shumë krahasuar me vitin 1990.

    “Në RMV mbipesha tek të rriturit është rritur për 13, 6 përqind, ndërsa tek fëmijët dhe adoleshentët për 7,4 % krahasuar me vitin 1990. Mbipesha është më e shpeshtë te meshkujt. Shumica e fëmijëve që janë mbipeshë jetojnë në mjedise urbane. Ushqimi shumë i përpunuar dhe i pasur me kalori është faktor i rëndësishëm që kontribuon në zhvillimin dhe rritjen e peshës trupore te fëmijët”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

    Profesionistët e fushës thonë se në vendin tonë akoma është e ulët vetëdija tek popullata lidhur me obezitetin.

    Ata thonë se obeziteti duhet të shihet si një sëmundje kronike e cila në mënyrë direkte apo indirekte lidhet me 200 sëmundje të tjera.

    “Nga dëshmitë e regjistrimit të numrave nga ‘termini im’, del se vetëm 14 mijë persona janë regjistruar me diagnozën obezitet, gjegjësisht shifrën  E66, ndërsa projeksionet flasin se dikund 30 përqind e popullatës në përgjithësi, por edhe në vendin tonë janë obez, pra dikund dhjetë-fish më shumë se sa janë të regjistruar…”, tha Irfan Ahmeti, Endokrinolog.

    “Në nivel botërorë e dijmë se janë 200 sëmundje që në mënyrë direkte ose indirekte janë të lidhura me obezitetin, mes tyre më të rëndësishme dhe më të shpeshta janë sëmundjet kardiovaskulare, problemet ortopedike, probleme psikologjike, që për fat të keq të shumica e pacientëve mund të jetë e lidhur me stigmatizimin apo izolimi nga opinion. Probleme të tilla kanë pacientët me depresion dhe ankth, kështuqë këta pacientë kanë nevojë për ndihmë psikologjike apo psikiatrike që të motivohen në mjekim dhe sukses në trajtimin e obezitetit. Komplikime të tjera janë diabeti dhe hipertensioni”, u shpreh Taner Hasan, Endokrinolog.

    Studimi i fundit i publikuar në “The Lancet”, tregon se në vitin 2022, më shumë se 1 miliardë njerëz në botë jetojnë me obezitet. Në 30 vitet e fundit obeziteti është rritur më shumë se dyfish te të rriturit, ndërsa katërfish më shumë te fëmijët dhe adoleshentët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pas protestës vjen një lajm i mirë për të punësuarit në pesë Universitetet Publike

    Lajmi i rradhës

    VLEN: BDI u rriti pagat profesorëve maqedonasë, por jo edhe profesorëve shqiptarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë