JO MË PARATË “NËN JASTËK”! Qytetarët paratë i kursejnë te shteti

    Kursimet e tyre qytetarët mund t’i bëjnë në banka, me blerje të aksioneve, letra me vlerë, polica sigurimesh, ndërsa me promovimin e obligacioneve civile dhe të gjelbra, nga ky vit ata mund të kursejnë edhe nëpërmjet shtetit. Ankandi civil për pjesën e parë u mbajt në korrik, ndërsa, siç thonë nga Ministria e Financave, i dyti pritet gjatë këtij muaji, kurse obligacioni i gjelbër u promovua në fillim të këtij muaji. Interesimi për të dy promovimet ka qenë i madh, pasi përkundër se shteti planifikonte të merrte 10 milionë euro nga qytetarët, ai morri 23 milionë euro. Gjithsej 1283 qytetarë kanë blerë obligacion civil, që mesatarisht janë 110 obligacione për blerës. Një obligacion i tillë kushtonte 10 mijë denarë ose pak më shumë se 160 euro. Ai vlen për dy vite, me një normë interesi prej 5%. Normat e interesit për depozitat me afat interesi 24 mujor në denarë, në bankat e Maqedonisë së Veriut varojnë nga 2.3 deri në 3.7%.

    Kjo nënkupton se për dy vjet, do të përfitoni nga 460 deri në 740 denarë. Paratë e kësaj janë për projekte zhvillimore, tashmë të planifikuara, ndërsa synimi është reduktimi i ekonomisë gri, ose paratë që qytetarët mbajnë “nën jastëk”, të hynë në sistem. Edhe pse interesi ishte tre herë më i lartë se sa i planifikuari, shteti mbeti në planin për të shkruar bono prej 10 milion euro. Nga ana tjetër, edhe bankat, kompanitë financiare, dhe qytetarët ishin të interesuar për këtë obligacion.

    Paratë nga obligacioni i gjelbër shkojnë në Fondin e efiçencës energjisë në Bankën Zhvillimore, nga ku kompanitë mund të marrin mbështetje për projektet e tyre investuese me kushte të favorshme.

    Nga Ministria e Financave thanë për media se tashmë është planifikuar se ku do të shfrytëzohen të ardhurat nga obligacionet, dhe se ata janë futur në buxhetin e këtij viti për përdorim në projekte të gjelbra. Qytetarët në banka mbanin mbi 5 miliard euro, sa në fakt është gjithë buxheti i shtetit. Një muaj pas promovimit të këtyre obligacioneve, rënie kanë pësuar edhe depozitat civile, përkatësisht ata në denarë. Në gusht qytetarët kanë pasur 5.39 miliard euro në llogaritë e tyre, ndërsa një muaj më parë 5.45 miliard euro, që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, depozitat e qytetarëve janë rritur për 7%. Procedura për blerjen e një obligacioni është e thjeshtë, mund të bëhet në banka, me para në llogari ose me para në dorë. Fakti se nuk ka kufi sa obligacione mund të blini, ngre pyetjen nëse paratë mund të “pastrohen” në këtë mënyrë?

    Ministri Fatmir Besimi ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se në këtë mënyrë mund të “pastrohen” paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme. “Ata që synojnë të pastrojnë para përdorin kanale të tjera, ndërsa institucionet shtetërore janë të vetëdijshme që kanë shuma të mëdha parash, shikojnë bizneset e tjera, janë të gatshëm të pranojnë rrezik më të madh dhe biznese ku ka kthim të kapitalit më shumë se 5%”, tha Besimi gjatë muajit korrik.

     Profesori Borçe Trenoski nga Fakulteti Ekonomik vlerëson se rregullat e vendosura nga Banka Popullore e minimizojnë mundësinë për pastrim parash në Shkup, por sipas tij, duhet të bëhet kujdes me mënyrën se si blihen këto obligacione. “Pritet që ekonomia informale të ulet, parat të nxirren nga ‘poshtë jastëkut’, por sa janë ato fonde. Shuma nuk mund të jetë jashtëzakonisht e lartë, pasi nëse mund të investoni disa miliona nga “poshtë jastëkut” lindin dyshime se nga vijnë këto fonde. Në çdo vend të zhvilluar kjo miratohet me kujdes të veçantë”, tha Trenoski duke shtuar se do të duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë disa pikave kritike sa i përket obligacioneve.

    Ligji për Pastrimin e Parave i detyron bankat të analizojnë klientët dhe transaksionet e tyre, dhe në rast se diçka është e dyshimtë t’i njoftojnë Autoritetet e Inteligjencës Financiare. “Banka Popullore në përputhje me kompetencat e saj ligjore, mbikëqyr bankat. Mbikëqyrja bëhet edhe në terren edhe jashtë saj, përmes kësaj vlerësohet besueshmëria, stabiliteti, dhe rrezikshmëria e bankave”, thonë nga Banka Popullore. Ligji për parandalimin e pastrimit të parave kërkon që bankat të bëjnë një analizë të klientit kur hy në marrëdhënie biznesi me të dhe të njoftojnë administratën për çdo transaksion prej 15 mijë euro ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni është i kryer si një operacion, ose si disa operacione që janë të lidhura reciprokisht mes vete. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Zejdi: fronti opozitar është europian

    Lajmi i rradhës

    SHTËPI TË BOSHATISURA DHE TË RRËNUARA! Dibranët braktisin pjesën e vjetër të qytetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë