SHTËPI TË BOSHATISURA DHE TË RRËNUARA! Dibranët braktisin pjesën e vjetër të qytetit

    Dibra e cila ka një histori të bujshme dhe të pasur, në të kaluarën është dalluar edhe nga arkitektura e shtëpive por edhe mënyra e jetesës sidomos në pjesën e vjetër të saj. Tani kur kanë kaluar shumë dekada kjo pjesë e qytetit as nga së afërmi nuk i ngjan të kaluarës. Pjesa dërmuese e shtëpive është e braktisur dhe shtëpitë nga dita në ditë rrënohen. Vizituam këtë pjesë të qytetit dhe para syve tonë ishin shtëpitë të cilat nga dita në ditë zhduken. Në një nga mëhallët e vjetra të kësaj pjese të Dibrës, hapur ishte vetëm një shtëpi, të tjerat ishin të rrënuara. Këto mëhallë në të kaluarën ishin përplot me dibran edhe atë të familjeve të njohura. Migrimi është duke zhdukur edhe pamjet të mëhallëve të Dibrës. Migrimi Dibrën e ka kapluar pas pavarësisë të shtetit shqiptarë dhe për fat të keq vazhdon edhe sot. Pasojat tanimë janë shumë të dukshme.

    Migrimet për shkaqe politike dhe ekonomike kanë karakterizuar Dibrën në të kaluarën por edhe sot. Gjenocidi serb që ndodhi ndaj dibranëve në vitin 1913 kur gjysma e Dibrës u shpërngul në Tiranë, ishte vetëm fillimi i migrimeve. Pastaj vazhduan migrimet në Republikën e Turqisë dhe më vonë nëpër shtete të Evropës dhe SHBA-ve. Të dhënat që prezantojnë shumë autor dhe historian dibran, potencojnë se në Dibër sot jetojnë vetëm një pjesë e vogël e dibranëve meqë pjesa dërmuese e tyre jeton në Tiranë disa Turqi, në Nju Jork dhe shtete të Unionit Evropian. Migrimi ka lënë pas vete shumë pak dibran në vendlindje, por faktikisht ja ka humbë edhe bukurinë saj. Pas tërmetit katastrofal të vitit 1967 që kaploi Dibrën, një pjesë e bukur e saj vazhdoi të boshatiset. Shumë familje dibrane që kishin migruar kishin lënë shtëpitë kurse gjatë tërmetit edhe ata që ishin në atë pjesë të qytetit u shpërngulën dhe sot janë vendosur në pjesën e re të Dibrës. Kjo situatë pjesën e vjetër të Dibrës e ka lënë të trishtueshme. Mëhallët e vjetra të qytetit të Dibrës të kësaj pjese sot janë të boshatisura.

    Takuam në këtë pjesë të qytetit Arif.D, një 85 vjeçar i cili me lot në sy na rrëfen vitet e fëmijërisë pikërisht në këtë pjesë të qytetit në afërsi të kodrës së Bejlerëve. “Këtu jetojë me familjen time por jam i vetëm në këtë mëhallë. Këtu ku jemi sot së bashku me mua, dikur ishin familjet e njohura dibrane. Kishte shumë muhabet por shtëpitë kishin një arkitekturë tipike të qytetit tonë. Pajisjet të bakrit të asaj kohe ishin pajisjet të kuzhinës dibrane të cilat nuk i kishte në qytete të tjera. Migrimet kanë shkretuar Dibrën. Edhe ata familje të cilat kanë mbetur në këtë pjesë të qytetit kanë familje me halle dhe probleme sociale ekstreme. Ju a jeni duke pa shtëpi të rrënuara, shtëpi të boshatisura”, thotë ai.

    Sot banorët e dikurshëm të kësaj pjese të Dibrës ose anëtarët e atyre familjeve që kanë migruar jetojnë në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Nju Jork, Romë, Bon etj. Pamjet të kësaj pjese të Dibrës jo vetëm që janë trishtuese por tregojnë qartë historinë në të cilën ka kaluar qyteti i Dibrës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    JO MË PARATË “NËN JASTËK”! Qytetarët paratë i kursejnë te shteti

    Lajmi i rradhës

    Gratë rurale në RMV të anashkaluara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë