Jo postimeve në rrjete sociale, nëse jeni jashtë shtëpisë

    Zakonisht periudha e verës është shumë dinamike për qytetarët. Shkuarja nëpër ahengje familjare ose në pushime dhe postimi në rrjetet sociale në kohë reale nga jeta e përditshme mund t`ju kushtojë shumë, sepse në këtë mënyrë hajnat vihen në aksion dhe më lehtë kryejnë vjedhje. Prandaj së fundmi policia ka realizuar një projekt me karakter parandalues të titulluar “Parandalimi i vjedhjeve të rënda” në zonën e Tetovës dhe Gostivarit.

    Në këtë aktivitete janë përfshirë gjashtëdhjetë grupe këshillimore të qytetarëve. Nga policia e Tetovës thonë se në kuadër të këtij projekti, i cili pritet të zgjasë deri në fund të muajit të ardhshëm dhe të cilin e realizon Njësiti për Parandalim, zyrtarët policorë për së afërmi i njoftojnë qytetarët-përfaqësues të këtyre grupeve këshillimore, se si të mbrohen nga vjedhjet në periudhën e verës.

    “Njëkohësisht, ata këshillohen veçanërisht kur janë larg nga shtëpitë e tyre për një kohë të gjatë, për shkak të festave, dasmave apo manifestimeve të tjera, të mbyllin dyert, të mos i lënë dritaret hapura dhe të mos shpërndajnë në rrjetet sociale postime që njoftojnë se për momentin nuk ndodhen në shtëpi, por se ndodhen në një nga qendrat turistike brenda apo jashtë vendit. Në këto takime qytetarët informohen edhe për mënyrën e denoncimit të vjedhjeve dhe se si duhet të veprojnë nëse u thyhen banesat apo objektet e biznesit. Zyrtarët policorë i njoftojnë nëpërmjet eksperiencave praktike dhe edukative për atë se si të vendoset mbrojtje më kualitative nga veprimet kriminale nga fusha e delinkuencës pronësore si vjedhjet, vjedhje të pacipë dhe të ngjashme”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

    Në ndërkohë, pjesëtarët e policisë kanë realizuar takim edhe me pronarë të restoranteve të cilët organizojnë ahengje të ndryshme familjare gjatë sezonit të verës. Me këtë rast, këta pronarë janë njoftuar për së afërmi lidhur me organizimin e dasmave në mënyrë që të kujdesen për rendin dhe qetësinë publike në dhe rreth objekteve të tyre, mbi të gjitha të ndalojë dhe pamundësojë të shtënat me armë zjarri në dasma apo festa të tjera familjare.

    “Gjithashtu, në takime, hotelierët u njohën edhe me implikimet ligjore për shfaqjen e paautorizuar të fishekzjarrëve apo përdorimin e mjeteve të ndryshme piroteknike në festa të tilla. Takime të këtilla do të vazhdojnë edhe në objekte të tjera sallone dasmash, restorante, ndërsa është planifikuar të përfshihen më shumë se pesëdhjetë objekte në Tetovë, Gostivar dhe në disa fshatra, ku zakonisht organizohen dasma, të cilat janë në kulminacionin e organizimeve. Qëllimi është që hotelierët të informohen menjëherë për detyrimet e tyre si organizatorë të festimeve dhe për pasojat për rendin dhe qetësinë publike, gjatë të shtënave të paligjshme apo shfaqjes së fishekzjarrëve, të cilat në vitet e kaluara ndonjëherë kanë përfunduar me pasoja të rënda për jetën dhe pronën e pjesëmarrësve”, tha Rexhepi.

    Me fillimin e sezonit të dasmave dhe ahengjeve tjera në rajonin e Pollogut, deri më tani nuk është evidentuar asnjë incident më i rënda nga përdorimi i armëve ose fishekzjarrëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Ndihma e shpejtë” në RMV nuk është mjaftueshëm e shpejtë!

    Lajmi i rradhës

    MMJPH: Përveç hidrocentraleve të vogla aktuale në Sharr, të tjera nuk do të ketë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë