“Jo” stereotipave për gruan me uniformë

    Gratë duhet të ulen në tavolinën ku merren vendimet në të gjitha nivelet dhe kjo nuk duhet të jetë temë e negociatave. Ky ishte një nga mesazhet e konferencës së sotme rajonale kushtuar gjinisë dhe sigurisë, organizuar nga OSBE dhe ODIHR. Me theksin tek roli  i gruas në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe demokratike dhe premtimin për përfshirjen më të madhe të tyre në strukturat e ruajtjes së rendit, presidenti Stevo Pendarovski u shpreh se pjesë kryesore e reformave është lufta kundër stereotipave dhe paragjykimeve. Sipas Pendarovskit, policia ka rol të pazëvendësueshëm në zbatimin e ligjeve, ruajtjen e rendit, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ruajtjen e kufijve shtetëror.

    “Me kryerjen e këtyre detyrave të rëndësishme, policia ruan gjënë më të vlefshme që ka një shtet, që është besimi i qytetarëve të Maqedonisë në vendin e tyre dhe në institucionet e tij. Përvojat nga vendet më të zhvilluara tregojnë se gratë police dhe pjesëtaret e njësive policore mund të zgjidhin me shumë sukses situatat që kanë të bëjnë me dhunën gjinore dhe në familje ku viktima janë gra dhe fëmijë. Është e nevojshme jo vetëm të rritet numri i grave në polici, por edhe të mbështetet avancimi i tyre në karrierë në çdo sektor, në çdo njësi”, u shpreh presidenti.

    Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl , duke cekur se pikërisht kjo konferencë ilustron përkushtimin e fortë të OSBE-së për çështjet kryesore gjinore, tha se janë fuqishëm të përkushtuar për avancimin e barazisë gjinore. Duke iu referuar të dhënave të Institutit Evropian për Barazi Gjinore, përqindja e grave në sektorin e sigurisë është rreth 20 për qind, e cila mbetet prapa 30 për qindëshit të rekomanduar dhe është larg barazisë. Madje shifrat janë edhe më të këqija kur bëhet fjalë për përqindjen e grave në pozita udhëheqëse në sektorin e sigurisë.

    “Po zbatojmë disa vendime ministrore për fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në publik dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Gratë duhet të ulen në tavolinën ku merren vendimet në të gjitha nivelet dhe kjo nuk duhet të jetë temë e negociatave…Duhet të thyejmë stereotipat gjinore në shoqëri, veçanërisht në sektorin e sigurisë dhe të hapim dyert e mundësive për të gjitha gratë”, tha Wahl.

    Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2023 përqindja e përfaqësimit gjinor është 78.98 për qind për meshkuj, ndërsa 21.02 për qind për femra. Shifrat e viteve të fundit, sipas ministrit teknik të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski, tregojnë një tendencë të lehtë në rritje, por dallimi në përfaqësimin e të dyja gjinive është ende i madh. Numri i grave në pozita udhëheqëse në polici është në rritje, 17.8 për qind vjet, ndërsa në vitin 2019 ishte 12.5 për qind.

    “E njëjta gjë vlen edhe për faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në pozita drejtuese në organet e zbatimit të ligjit, gjë që mund t’i atribuohet stereotipave që lidhen me punën në polici. Sfidat shtesë me të cilat ballafaqohen gratë në punën policore janë mbajtja e tyre në punë, përfaqësimi i tyre në njësitë speciale, si dhe përparimi në sistemin e karrierës, që pjesërisht është për shkak të përpjekjes së tyre për të arritur një balancë mes jetës profesionale dhe asaj familjare”, ka thënë Toshkoski.

    Konferenca është organizuar në vigjilje të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, ulet numri i sëmurëve nga gripi

    Lajmi i rradhës

    Kastriot Rexhepi për “zhdukjen” e tij para seancës së votëbesimit të Qeverisë: u sulmova nga partitë, të cilat më pas hynë në Qeveri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë