Kanani: Të rinjtë nuk kanë besim te politikanët e Maqedonisë së Veriut, prandaj largohen

    Fotografia: Flickr

    Darmendra Kanani, drejtor i politikave strategjike në Think-Tank, Miqtë e Evropës, duke folur për largimin e të rinjve nga Ballkani, në “Click Plus” në TV21, ai tha se të rinjtë nuk kanë më besim te drejtuesit politikë dhe për këtë po largohen në masë. Ai shton se këtu kemi një dinamikë që mund të jetë shumë e dëmshme për Ballkanin Perëndimor, përcjell Nistori.

    “Nuk mendoj se e shohim në të gjithë Ballkanin, por e di që sondazhet në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor tregojnë se të rinjtë nuk u besojnë më liderëve. Ata po largohen në masë. Unë mendoj se Evropa duhet të ketë një qasje tjetër ndaj Ballkanit, duhet të ndalojë së detyruari vendet të kapërcejnë pengesat dhe ta shohin Ballkanin Perëndimor si një bllok të vetëm. Nëse e bëjnë këtë, mendoj se do të kemi një rezultat tjetër”, tha Kanani.

    Sipas tij, të gjitha shtetet ballkanike duhet të bashkohen, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një treg të brendshëm të përbashkët.

    “Hyrja në Union interpretohet si synim i politikave dhe reduktohet vetëm në zgjerim. Dhe ne e ndryshojmë debatin me pyetjen – si të zgjerohet projekti evropian? Ishte një ide e mrekullueshme kur thamë: “Nuk do ta bëjmë më kurrë këtë. Nuk do të kemi më kurrë një luftë si ato që pamë. Dhe ne do të krijojmë një bashkim dhe një treg të brendshëm. Por baza e gjithçkaje do të jenë të drejtat universale të njeriut dhe ne do ta zgjerojmë projektin.” Dhe projekti u zgjerua. Por gabimi strategjik i Bashkimit Evropian, nga disa komisionerë dhe do ta them drejtpërdrejt, disa komisionerë të njëpasnjëshëm të zgjerimit nuk kanë asnjë ide për potencialin dhe mundësitë e Ballkanit Perëndimor. Sot ne i vuajmë pasojat e asaj dritëshkurtësie”, thotë ai.

    Kanani, duke folur për çështje politike dhe ekonomike në rajon, tha se situata në Ukrainë kontribuoi në një ndërgjegjësim të papritur se çfarë është Ballkani Perëndimor në të vërtetë për Bashkimin Evropian.

    “Jo vetëm nga pikëpamja e sigurisë, por edhe si të mbrohet ideja e universalitetit, e të drejtave të njeriut etj., por edhe e rritjes ekonomike. Pse do të linim boshllëk për ndikimin e forcave joliberale dhe jodemokratike, kur projekti mund të zgjerohet? Mendoj se është turp që kemi thënë, dhe me të drejtë, që Ukraina duhet të bashkohet. Këtu mungon një mendim strategjik në nivelin më të lartë në Komisionin Evropian, i cili duhet të pyesë veten: si mund ta trajtojmë Ballkanin Perëndimor si një bllok, si një kufi të ri për paqen dhe rritjen ekonomike, dhe në të njëjtën kohë të të sprapsin forcat e autokracisë?”, thotë Kanani.

    Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse jemi të drejtpërdrejtë, të fortë dhe të vendosur. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kush do të kujdeset për të moshuarit në RMV?

    Lajmi i rradhës

    Ministria e Mbrojtjes me iniciativë deri te Komuna e Tetovës për vendosjen e monumentit për të vrarët në Vicë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë