Me hapa breshke drejt përmbushjeve të zotimeve!

    Qeveria e RMV / Fotografia: Nistori

    Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk deklarojnë se deri në çfarë mase është përmbushur detyrimi i marrë për të përgatitur një skemë paraprake të mësimit për klasën e 7-të me temën “Shteti i Samuelit”, në përputhje me rekomandimi i komisionit historik maqedono-bullgar. Me Protokollin e Dytë Bilateral të nënshkruar korrikun e kaluar nga ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Bullgarisë, të dy vendet morën përsipër të përmbushin disa detyrime në disa fusha. Këto ditë nën-presidentja e Bullgarisë Iliana Jotova, kritikoi autoritetet e Maqedonisë se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për përmbushjen e marrëveshjes me Protokollin dhe tha se është koha që Qeveria e re politike e Bullgarisë të takohet me Qeverinë e RMV-së.

    Me nënshkrimin e Protokollit Dypalësh vitin e kaluar, Bullgaria pranoi të heqë veton për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë në BE, të cilën e kishte vendosur në vitin 2019, por me kusht që hapja e negociatave të jetë në dy faza dhe faza e dytë do të merrte vend pasi Maqedonia ka futur bullgarët në Kushtetutë. Sipas analistëve, dinamika e përmbushjes së obligimeve nga Protokolli i Dytë Bilateral varet nëse amendamentet kushtetuese do të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë dhe me mospërmbushjen e obligimeve, Bullgarisë po i japim argumente shtesë kundër nesh.

    Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Petar Arsovski thotë se përfundimi i mundshëm negativ në Parlament nga përpjekja për ndryshimin e Kushtetutës do të thotë edhe se nuk ka vullnet, gjegjësisht se shumica e qytetarëve as që e përkrahin zbatimin e atij protokolli. “Nëse e krahasojmë me protokollin e parë dypalësh mes Shkupit dhe Sofjes, do të shohim se në të dytin është përforcuar gjuha e detyrimeve. Nuk ka urdhra të shprehur për Komisionin Historik, por ka terma si ‘ne inkurajojmë Komisionin’, ‘ne motivojmë…’, etj. Është për vendimet e ardhshme të Komisionit, por ajo që është rënë dakord deri më tani duhet të respektohet çdo formulim i tyre. Në Protokollin e Dytë thuhet se çdo gjë për të cilën është rënë dakord nga Komisioni ka një afat të caktuar në të cilin duhet të zbatohet në tekstet shkollore dhe ne duhet ta përmbushim, sepse jemi angazhuar. Në këtë fazë, gjithçka ka të bëjë me simbolizmin dhe shfaqjen e vullnetit të mirë. Të mos i japim Bullgarisë argumente shtesë kundër nesh, të cilat patjetër do t’i përdorë në dëmin tonë nëse ne nuk i zbatojmë obligimet tona”, thotë Arsovski, analist. Ai shton gjithashtu se nëse në Maqedoni ka ndryshim të Qeverisë, një shumicë e re është e mundshme të ndryshojë edhe përbërjen e Komisionit Historik.

    Dragi Gjorgiev, bashkëkryetar i Komisionit të Historisë nga pala maqedonase, së fundi informoi se janë planifikuar edhe tri takime të tjera deri në fund të vitit në periudhën nga shtatori deri në dhjetor. Me dy takimet e deritanishme në shkurt dhe mars të këtij viti do të mbahen gjithsej pesë takime të historianëve, që është pothuajse dyfishi i kohëzgjatjes së rekomanduar në protokollin e dytë. Komisioni Historik deri më tani ka harmonizuar rekomandimet për tekstet e historisë për klasën e pestë në Bullgari dhe për klasën e gjashtë në Maqedoni. Përveç temave historike, në Protokollin Bilateral u dakorduan edhe detyrimet për parandalimin e gjuhës së urrejtjes, si dhe rehabilitimin e viktimave të represioneve në periudhën komuniste, si dhe disa masa duhet të ndërmerren para dhe disa pas miratimit të amendamenteve kushtetuese.

    Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani gjatë Forumit të Prespës ka bërë të ditur se së shpejti pret një takim bilateral me kolegen e tij Maria Gabriel. Ky do të ishte takimi i parë zyrtar dypalësh pas një kohe të gjatë, sepse Bullgaria ka pothuajse një vit të tërë me një qeveri teknike dhe gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm. Më herët, Qeveria bullgare e ish-kryeministrit Kiril Petkov dhe ajo e Maqedonisë e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski ranë dakord për bashkëpunim të rëndësishëm dypalësh me pesë grupe punuese në disa fusha, të cilat u takuan intensivisht deri në rënien e Qeverisë së Petkovit verën e kaluar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Paralajmërohet grevë e përgjithshme për pagat në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Kandidatët për rektorë në Universitetin e Tetovës, ankohen për presione dhe agjitacion në fushatën zgjedhore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë